Kreu i SPAK, Altin Dumani ka raportuar sot në komisionin e Çështjeve Ligjore mbi veprimtarinë e institucionit që ai drejton sa u takon statistikave të vitit 2024 në raport me vitin 2023.
Dumani tha se përgjatë vitit 2024 janë sekuestruar apo konfiskuar në total pasuri me vlerë 65.5 milionë euro, prej të cilave 28.7 mln euro janë të sekuestruara dhe pjesa tjetër të konfiskuara.
Krahasuar me vitin 2023, vihet re një rritje e pasurive të sekuestruara/konfiskuara me 60% më shumë. Gjithashtu vihet re edhe se janë regjistruar 19% më shumë çështje nën hetim krahasuar me vitin 2023.
Përsa i takon numrit të personave të burgosur, Dumani tha se të arrestuarit me urdhër të SPAK të cilët mbahen në paraburgim përbëjnë 9.5% të totalit. Ndërsa tha se përgjatë vitit 2024, një numër i konsiderueshëm personash, në 246 raste ose 40% e totalit, janë hetuar pa masë sigurie duke treguar qasjen më të butë dhe metodave alternative përveç atyre të arrestit me burg. Versus.al







