
Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë u kthye në qendrën e festimeve për 75-vjetorin e krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar, në një ceremoni ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit, përfaqësues të aleatëve dhe veteranë të aviacionit.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-lejtnant Arben Kingji.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes Nufi njoftoi një zhvillim të rëndësishëm për sektorin: rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë pas dy dekadash.
“Ringritja e Shkollës së Aviacionit është një hap i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë e traditës dhe përgatitjen e brezave të rinj të pilotëve dhe specialistëve,” u shpreh ai.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në sigurinë ajrore dhe kapacitetet mbrojtëse:
“Modernizimi i kapaciteteve janë pikërisht investimi në mjete, në teknologji dhe në sisteme që janë thelbësore për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë me aleatët tanë.
Zhvillimi i kapaciteteve të reja, sidomos i mjeteve pa pilot, modernizimi i sistemeve të radarëve, forcimi i mbrojtjes kundërajrore, si elementë shumë të rëndësishëm dhe krucial për realitetin e sotëm të sigurisë. Dhe së fundmi, konsolidimi i aseteve strategjike, si baza ajrore e Kuçovës, ku ne sot kemi zgjedhur pikërisht për të bërë festimin e 75-vjetorit të Forcës Ajrore, i cili nuk është një aset vetëm kombëtar shqiptar, por është edhe një aset për të gjithë Aleancën Ushtarake të NATO-s, një kontributor i paqes dhe një tregues i forcës ushtarake.”
Gjatë ceremonisë u vlerësua edhe kontributi i brezave të pilotëve dhe specialistëve që kanë shërbyer ndër vite, ndërsa u rikujtua historia e Aviacionit Shqiptar, i cili nisi më 24 prill 1951 me fluturimin e parë të pilotit Peço Polena në aerodromin e Laprakës.
Nga ato fillime modeste, sot Forca Ajrore Shqiptare operon me teknologji moderne dhe kapacitete të avancuara, duke luajtur një rol të rëndësishëm në strukturat e NATO-s dhe në sigurinë rajonale./Versus.al

