Pas më shumë se 9 muajsh, është siguruar jodi radioaktiv për të sëmurët me kancer të tiroides i cili sipas mjekëve shërben si kimioterapi për ta.
Por nga ana tjetër, pavarësisht mbërritjes së një ilaçi të tillë që prej muajsh duhej të ishte spitalin e Onkologjikut, ka mungesa të tjera si për shembull mosfunksionimi i pajisjes së shintigrafisë që studion funksionimin e tiroideve.
Gazetari Osman Stafa i cili prej kohës ka zbardhur edhe biseda mes mjekëve të Onkologjikut ku tregohet mungesa e frikshme e ndjesive njerëzore për të sëmurët me kancer, bën me dije se si pasojë e mungesës së pajisjes të përmendur më sipër, radha e njerëzve që presin të diagnostikohen ka shkuar në rreth 1 mijë persona.
Postimi i plotë i gazetarit:
Pas më shumë se 9 muajsh, më në fund sigurohet jodi radioaktiv për të sëmurët me kancer të tiroides. Trajtimi me jod radioaktiv për të sëmurët me kancer të tiroides, është si kimiotetapi për ta, thonë mjekët.
A do mbaj kush përgjegjësi për 9 muajt e mungesës së jodit radioaktiv?
Por problemi nuk mbyllet me kaq, pasi pajisja e shintigrafisë nuk funksionin. (Punon me teknecium 99, lëndë radioaktive). Radha e njerëzve ka shkuar në mbi 1000 mijë vetë më thonë mjekët, të cilët presin të diagnostikohen.
_______________
Erlotinibi i cili ka munguar për një kohë shumë të gjatë, më thonë mjekët e Onkologjikut që ka ardhur. Të sëmurët me kancer mushkërie janë keqtrajtuar duke u dhënë 10-15 kokrra në muaj, kur duhet të merrnin 30 në muaj.
Kush mban përgjegjësi për këto mungesa dhe keqmjekim?
Pas shumë kohësh më qëllon që sot të mos ketë mungesa kimiosh në Onko.
Ky është një rast shumë i radhë më tregojnë mjekët e Onkologjikut, që të qëllojë që s'ka mungesa.
Do e shohim sa do të zgjasë kjo situatë.
Prej ditësh, gazetari ka publikuar biseda të zhvilluara mes mjekëve të Onkologjikut në chatet e grupeve të Whatsapp, ku duket qartë papërgjegjshmëria e tyre dhe mungesa totale e empatisë së tyre ndaj pacientëve të sëmurë me kancer.
Skandali i Onkologjikut, ku pacientëve me kancer nuk u ofrohej shërbim dhe drejtoheshin në klinikën private të mjekut Edmond Gashi, 'shkundi' gjithë sektorin e Shëndetësisë në vend, ndërsa dosja për shkeljet e rënda i ka kaluar SPAK-ut për hetim. Versus.al








