
I vetëquajturi “profesor” Pëllumb Pilinçi, i njohur për shpalljen e një “qeverie hije” në Vlorë, kësaj here ka drejtuar një mesazh të pazakontë për presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.
Në videon e shpërndarë prej tij, Pilinçi i bën thirrje Trump-it që “ta dëgjojë mirë, sepse ai e di kush është Pilinçi”. Ai e akuzon kreun e Shtëpisë së Bardhë për përfshirje në çështje të brendshme shqiptare dhe i kërkon të deklarojë publikisht se dhëndri dhe vajza e tij nuk kanë lidhje me tokën e Shqipërisë.
Duke iu referuar Kushtetutës amerikane, Pilinçi shprehet se është e ndaluar që presidenti, gjatë kohës në detyrë, të merret me tregti me vende të tjera.
Ai gjithashtu kujton se është bërë republikan para Trump-it dhe madje ironizon duke thënë se “është më i vjetër si amerikan” se sa vetë ai.
Shkaku i nervozizmit të tij nuk është krejtësisht i qartë, por përveç pretendimeve për çështjen e Sazanit, Pilinçi duket se ka mbetur i pakënaqur që Trump nuk e ka kontaktuar për t’u konsultuar lidhur me konfliktin në Ukrainë.
Në fund, Pilinçi e mbyll videon me një mesazh sfidues, duke i kujtuar Trump-it “vendin e vet”.







