AKTUALITET /

Air Albania “lë në baltë” ekipin e kombëtares dhe pasagjerët e tjerë, anulon fluturimin në Turqi pa asnjë arsye

Përveç anulimit të udhëtimit, Air Albania i kishte mbyllur zyrat në aeroport dhe gjithashtu kishte fikur telefonat e asistencës duke lënë pasagjerët "në mëshirë të fatit".

Shkruar nga Versus

Air Albania “lë në baltë” ekipin e kombëtares

Fluturimi i linjës “Air Albania” nga Tirana drejt Stambollit, i parashikuar për t’u nisur mbrëmjen e djeshme në orën 18:20, u anulua papritmas dhe pa asnjë arsye zyrtare.

Mes udhëtarëve që kishin prerë bileta për në Turqi, ishin edhe lojtaret e Kombëtares Shqiptare të futbollit për vajza të cilat kishin për të luajtur 2 ndeshje miqësore të planifikuara prej kohësh për në datat 28 nëntor dhe 1 dhjetor.

FSHF thotë se ky anulim i fluturimit pa patur asnjë shpjegim, i ka prishur programin ekipit përfaqësues dhe lojtaret e stafi teknik u detyruan të ktheheshin mbrapsht pasi pritën pa asnjë njoftim apo zgjidhje alternative nga kompania ajrore.

Ekipi kombëtar i vajzave do të niset sot drejt Stambollit me një tjetër linjë ajrore.

Një tjetër detaj që ka shkaktuar më shumë paqartësi është fakti se zyra e linjës ajrore “Air Albania” në aeroport ishte e mbyllur dhe gjithashtu numrat e telefonit të kompanisë ishin të fikur duke bërë që qytetarët të mos kishin mundësi ku të kërkonin ndihmë.

Përveç anulimit që vendosi në pozitë edhe autoritetet turke që kishin përgatitur pritjen e ekipit kombëtar shqiptar, ky rast ngre shqetësime serioze mbi mënyrën e funksionimit të kësaj linje ajrore dhe mungesën e përgjegjësisë ndaj pasagjerëve të saj duke u prishur planet e angazhimeve të tyre personale apo profesionale. Versus.al

Poll