Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur këtë të enjte në fshatin Qungur të Pejës, ku përplasja mes një veture dhe një katërçiklete ka përfunduar me humbje jete.
Ngjarja u raportua rreth orës 14:00, kur Policia e Kosovës u njoftua për një përplasje në rrugën lokale në afërsi të zonës së Bllagajës. Sipas autoriteteve, në aksident u përfshinë një veturë dhe një mjet katërçikletë me dy persona në të.
Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes mbërritën njësitet policore dhe autoambulanca. Mjeku që intervenoi në vendngjarje konstatoi vdekjen e njërit prej personave, i cili ndodhej në katërçikletë. Viktima, ashtu sikuse bëjnë me dije disa media të Kosovës, dyshohet të jetë vëllai i personazhit të njohur Gjestit, por identiteti i plotë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Personi tjetër i përfshirë në aksident ka pësuar lëndime dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal.
“Mjeku që ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e njërit prej tyre, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për trajtim urgjent në emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Njësia e hetimeve të aksidenteve dhe prokurori i rastit janë duke punuar për të përcaktuar përgjegjësitë dhe rrethanat e ngjarjes.







