
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në Itali, ku ka humbur jetën shtetasja shqiptare 62-vjeçare, Merita Qemali.
Viktima po udhëtonte me një automjet tip “Ford” së bashku me partnerin e saj 49-vjeçar, djalin 10-vjeçar dhe motrën 47-vjeçare, kur automjeti i tyre është përplasur me një kamion që lëvizte me shpejtësi të ulët për shkak të një defekti në gomë.
Përplasja ka qenë e fortë dhe ka shkaktuar dëmtime të mëdha në pjesën e përparme të makinës. 62-vjeçarja është transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Dy prej pasagjerëve mbetën të bllokuar në automjet dhe u nxorën nga forcat zjarrfikëse që ndërhynë në vendngjarje.
49-vjeçari, drejtuesi i mjetit, ndodhet në gjendje të rëndë pas operacionit, ndërsa edhe motra e viktimës është në gjendje kritike pas ndërhyrjes kirurgjikale. Fëmija 10-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit./Versus.al

