Pesë prej 12 qytetarëve të plagosur në aksidentin e ditës së djeshme, kanë dalë nga spitali i Traumës mëngjesin e sotëm. Ministria e Shëndetësisë teksa dha detaje për gjendjen e të plagosurve, bën me dije se një i mitur 8 vjeçar ndodhet në reanimacionin e QSUT me parametra jetësore të qëndrueshme.
Gjithashtu në reanimacion ndodhet një shtetase vietnameze e cila është në gjendje të rëndë. Ndërsa një tjetër fëmijë 14 vjeçar është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën mjekësore në spital.
Mesditën e djeshme vendi u trondit nga aksidenti i ndodhur në rrugën Durrës-Tiranë ku një autobus i linjës Berat-Tiranë doli nga korsia dhe përfundoi në kanal teksa ishte pak kilometra larg kryeqytetit. Policia njoftoi se shoferi i autobusit, i riu Redion Hasimi, 36 vjeç kishte pësuar atak kardiak dhe për pasojë humbi jetën në vendngjarje. Ndërsa 12 persona të tjerë u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Shoferi i cili fatkeqësisht humbi jetën, po qarkullonte brenda nurmave të shpejtësisë. Në segmentin ku ndodhi aksidenti, kufiri maksimal i shpejtësisë është 100 km/h, ndërsa autobusi ka qenë duke lëvizur shpejtësi më të ulët. Po ashtu, verifikimet e Policisë Rrugore të Tiranës tregojnë se 36-vjeçari nuk kishte precedentë si drejtues problematik dhe nuk rezulton të ketë pasur shkelje të konstatuara të rregullave të qarkullimit rrugor. Versus.al

