
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një aksion të gjerë kontrolli në ambientet e IEVP Peqin, me qëllim evidentimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara brenda institucionit.
Operacioni është drejtuar nga drejtuesit e lartë të sistemit të burgjeve dhe është mbështetur nga forca operacionale dhe speciale, si dhe nga struktura sigurie të disa institucioneve të tjera penitenciare në vend.
Gjatë kontrollit janë përdorur pajisje të avancuara si dronë monitorimi, detektorë metalikë, skanerë dhe qen të specializuar për zbulimin e lëndëve narkotike. Inspektimet kanë përfshirë të gjitha zonat e burgut, përfshirë sektorët e banimit, ambientet e takimeve, palestrën, bibliotekën, zonat e ajrimit dhe regjimin e posaçëm “41-bis”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar sende të ndaluara si mjete të improvizuara prerëse, kabuj elektrikë të modifikuar dhe materiale të tjera të palejuara. Në një rast është konstatuar edhe një sasi e dyshuar lënde narkotike, për të cilën kanë nisur procedurat ligjore përkatëse.
Në kuadër të këtij aksioni është kryer edhe transferimi i dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, të cilët vlerësoheshin si rrezik për sigurinë e institucionit.
Mes tyre përmendet edhe Fran Marashi, i dënuar për vepra të rënda penale, i cili do të zhvendoset nga Peqini drejt një burgu tjetër të sigurisë së lartë.
Autoritetet e burgjeve theksojnë se kontrolle të tilla do të vijojnë në mënyrë periodike, me qëllim forcimin e rendit dhe sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend./ Versus.al



