AKTUALITET /

AKSK ngre alarmin: Kujdes nga skemat mashtruese TXEX, operon jashtë çdo kuadri ligjor! Ja si funksionon

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, (AKSK) në ushtrim të kompetencave të tij për garantimin e sigurisë në hapësirën digjitale dhe ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet kibernetike, informon qytetarët mbi identifikimin e një rasti mashtrimi online përmes një platforme të vetëquajtur TXEX.

Shkruar nga Versus

AKSK ngre alarmin: Kujdes nga skemat mashtruese TXEX, operon jashtë

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, (AKSK) në ushtrim të kompetencave të tij për garantimin e sigurisë në hapësirën digjitale dhe ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet kibernetike, informon qytetarët mbi identifikimin e një rasti mashtrimi online përmes një platforme të vetëquajtur TXEX.

Kjo platformë, e prezantuar si aplikacion për investime në kriptovaluta, nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar. Nga vëzhgimet tona dhe nga denoncimet e shumta të bëra publike, konstatohet se aktiviteti i saj mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale.

Mënyrat e funksionimit të mashtrimit

Platforma TXEX përdor:
• Reklama joshëse dhe të rreme në rrjete sociale (p.sh. Instagram, TikTok);
• Krijimin e grupeve të simuluara komunikimi në Telegram, WhatsApp, Signal;
• Prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat;
• Kërkimin e pagesave shtesë me arsyetimin për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”;
• Mbledhjen e dokumenteve personale sensitive (ID, foto), duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale.

AKSK paralajmëron qytetarët shqiptarë se përfshirja në këtë platformë sjell:
• Humbje financiare të parikuperueshme;
• Rrezik të lartë për cënimin e privatësisë dhe identitetit digjital;
• Mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.

Qytetarët duhet të kenë parasysh se:
1. Asnjë subjekt i palicencuar nuk ka të drejtë të ofrojë shërbime financiare apo investimi në Shqipëri;
2. Premtimet për fitime të shpejta dhe të garantuara janë indikator klasik i mashtrimeve online;
3. Asnjë platformë e ligjshme nuk kërkon pagesa shtesë apo të dhëna personale për tërheqjen e fondeve.

Për të mbrojtur veten dhe të tjerët, AKSK u bën thirrje qytetarëve që:
• Të mos kryejnë transaksione financiare me këtë platformë;
• Të mos ndajnë të dhëna personale sensitive me subjekte të panjohura;
• Të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thekson se siguria kibernetike është pjesë përbërëse e sigurisë kombëtare, dhe se mbrojtja nga mashtrimet digjitale kërkon kujdes të shtuar, ndërgjegjësim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të qytetarëve me institucionet përgjegjëse.

Me vigjilencë, raportim dhe kujdes individual, secili kontribuon në krijimin e një mjedisi kibernetik të sigurt, të besueshëm dhe të qëndrueshme për të gjithë shoqërinë shqiptare.

 

Poll