
SPAK sekuestroi pasurinë e paluajtshme të shtetasit Nikolla Hafësllari, i akuzuar për ndikim të paligjshëm te gjyqtarët.
Hafësllari së bashku me disa persona të tjerë tentuan të korruptonin gjyqtarët e Apelit për të liruar një të burgosur.
Prokuroria ka sekuestruar konkretisht dy apartamente, dy garazhe dhe dy automjete.
“Nikolla Hafësllarin bashkëpunim me Nikolla Jeskun, Blerand Kozici dhe Artiana Kozici, në mënyrë aktive I dhanë përfitim të parregullt prej 5000 euro, me qëllim ushtrimin e ndikimit të paligjshëm tek gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë dhe lehtësimin e pozitës procedurale të të pandehurit Blerand Kozici, i cili po hetohej nën efektin e masës së sigurimit “arrest në burg“, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve”, bënte me dije SPAK në vitin 2024.
Njoftimi i SPAK:
SPAK sekuestron pasuritë e një shtetasi të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur ankimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për procedimin pasuror nr.9 të vitit 2025, për të cilin vijojnë hetimet. Procedimi ka të bëjë me sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të shtetasit, Nikolla Hafësllari dhe personit të lidhur, Erjol Mekshi.
Shtetasi Hafësllari akuzohet për veprën penale; “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim (nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal).
Ankimi është bërë kundër vendimit nr.18 datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Gjykata e Apelit me vendimin 262, datë 2.12.2025 vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr.18, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë dhe pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për:
Sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si më poshtë:
Garazh me nr 6, kati -1, me adresë rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë,
Garazh me nr.7 , kati -1, me adresë rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë,
Automjet i markës “Audi”, modeli A6, viti i prodhimit 2005.
Apartament, nr.19/1, shkalla 2 kati III, me sip totale 87.89 m2, me adresë të pasurisë, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.
Apartament, nr 21, shkalla 2 kati III, me sip totale 61.89 m2, me adresë të pasurisë, rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.
Për ekzekutimin e këtij vendimi janë ngarkuar oficerët e Policisë Gjyqësore dhe përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme ngarkohen administratorët e kësaj agjencie.
