
Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë një takimi informal me gazetarët që mbulojnë fushën e drejtësisë, ka folur për punën e institucionit përgjatë vitit 2025, me theks të veçantë te hetimet për krimet zgjedhore.
Sipas Dumanit, kjo ka qenë një periudhë e ngarkuar për SPAK-un, si për shkak të hetimeve të reja, ashtu edhe për dosjet e mbetura nga vitet e kaluara.
Ai tha se për krimet zgjedhore SPAK ka qenë i fokusuar prej muajit mars e deri në përfundim të procesit zgjedhor, në kuadër të një strategjie të hartuar më herët në bashkëpunim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
“Në gjykimin tim, kjo strategji ka pasur efekt parandalues”, u shpreh Dumani.
Gjatë kësaj periudhe, SPAK ka administruar gjithsej 193 materiale, të ardhura nga një sërë burimesh:
56 nga Policia e Shtetit
53 nga subjektet politike
80 nga qytetarë të ndryshëm
6 nga persona juridikë
5 nga prokuroritë e rretheve
10 materiale të nisura kryesisht nga SPAK
1 material nga SHÇBA
Sipas Dumanit, një pjesë e madhe e kallëzimeve të ardhura nga subjektet politike lidhen me raste të "asfaltit elektoral", punësime në kundërshtim me ligjin, dhe përdorimin e administratës në funksion të fushatës.
Për sa i përket shitblerjes së votës, Dumani u shpreh se deri tani janë regjistruar vetëm indikacione, por jo prova konkrete që të çojnë në ndjekje penale./Versus.al







