
Gjykata Kushtetuese ka mbajtur sot një seancë të gjatë (rreth 10 orë) për të shqyrtuar konfliktin institucional mes qeverisë dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në lidhje me masën e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku.
Qeveria kishte kundërshtuar vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Ballukut dhe kishte kërkuar nga Kushtetuesja që të shpallte rikthimin e saj në detyrë, derisa të merrej një vendim përfundimtar në çështjen penale.
Pas diskutimeve të gjata, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë votuar 4 pro dhe 4 kundër kërkesës së qeverisë.
Meqenëse nuk u arrit kuorumi i nevojshëm i votave për të marrë një vendim (të paktën 5 vota pro ose kundër sipas rregullave të saj), kërkesa e qeverisë u rrëzua automatikisht.
Si pasojë, vendimi i GJKKO-së mbetet në fuqi: Belinda Balluku vazhdon të jetë e pezulluar nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, derisa të ketë një zhvillim të ri në procesin gjyqësor./Versus.al

