Leonard Duka, i njohur edhe si rivali më i madh i Ervis Martinajt, është ekstraduar sot nga Belgjika. Avioni me të cilin udhëton Duka i shoqëruar nga autoritetet e dy vendeve, pritet të mbërrijë në Rinas rreth orës 14:30.
Ekstradimi i bë me kërkesë të SPAK. Duka ishte shpallur në kërkim nga policia që prej majit të vitit 2022 pas megaoperacionit "Plumbi i artë" që u realizua me dëshmitë e dhëna nga vrasësi me pagesë Nuredin Dumani i cili mori statusin "i penduar i drejtësisë". Në maj të këtij viti, u publikuan përgjime të cilat tregonin sesi Duka në bashkëpunim me "Durim Bamin, 'të fortin e Niklës' kishte planifikuar vrasjen e Ervis Martinajt (i zhdukur nga gushti i 2022-it) dhe Arben Ndokës.
Duka dhe Martinaj ishin ortakë prej vitesh në biznesin e lojërave të fatit, por u kthyen në armiq pas një konflikti mes tyre që u agravua kur njerëz të Martinajt morën peng dhe dhunuan të atin e Leonard dhe Erlis Dukës. Në bisedat mes tyre në aplikacionin "sky ecc' kishte pasur debate sa i takon likuidimit të parave që Leonard Duka pretendonte se Martinaj ia kishte borxh ndërsa ky i fundit i rrëfente se nuk kishte pasur kurrë në plan ta vriste por kishte marrë vesh nga dosjet e SPAK të publikuara në media se ishin ofruar 10 milionë euro për kokën e tij. Me ekstradimin e tij në Shqipëri, Duka do dalë para GJKKO ku do t'i caktohet masa e sigurisë dhe më pas do t'i nështrohet procesit gjyqësor për ngjarjet kriminale ku dyshohet të jetë përfshirë si kreu i një prej grupeve të strukturuara më të fuqishme në vend. Versus.al







