Elda Zotaj, avokatja e Altin Ndocit, të paraburgosurit që u arratis dy ditë më parë teksa ishte shoqëruar në spitalin e Durrësit, ka habitur jo pak persona me deklaratën e saj të bërë mbrëmjen e djeshme në Top Story.
Pavarësisht se arratisja e tij çoi në arrestimin e 8 personave, Zotaj tha se ndihej e lehtësuar që klienti i saj tashmë ishte jashtë qelisë dhe se po merr frymë lirisht.
“Para së gjithash, uroj që të jetë mirë. Nëse do më duhet të jem e sinqertë me të gjithë këshillat e të gjithë kolegëve të mundshëm apo të gjithë personave që më rrethojnë që të mos e shpreh, unë ndihem e lehtësuar. Sepse më në fund ai person që nuk meritonte të ishte në burg, po merr frymë lirisht”- tha avokatja.
Pavarësisht se Ndoci akuzohet se ka marrë pjesë në disa vrasje e ngjarje kriminale të lidhura me grupin e Talo Çelës dhe klanit të Çopjave, avokatja e tij thotë se provat tregonin se ai ishte i pafajshëm. Sa i takon faktit që është i përfshirë në dosje me grupe kriminale, ajo thotë se në një vend të vogël si Shqipëria është e pamundur të evitohen kontakte me njerëz që kanë probleme me ligjin.
“Këtë çështje e ndjek prej fundit të 2021-it. Nuk e kam pranuar në fillim, e kam kërkuar që të konsultoj dosjen dhe më pas e kam marrë përsipër. Sepse sapo e kam lexuar dosjen, kam kuptuar që ka qenë i pafajshëm. Provat ishin të gjitha në dosje, problemi ishte se nuk i lexonte kush.
Të konsiderohesh pjesë e grupeve kriminale në një vend kaq të vogël, kaq të kontakteve, kaq oral, kaq të thashethemit siç është Shqipëria, është e rëndomtë. Ne jemi pjesë e grupeve të lagjes, farefisit. Duam apo s’duam, nuk mund të evitojmë kontakte me njerëz të caktuar të cilët mund të jenë edhe problematikë”—shtoi Zotaj. Versus.al

