
E kanë bërë rrugë…Përdorin aplikacionin Signal apo Telegram, emrat e zyrtarëve të lartë dhe “vënë gjoba” në shifra ‘astronomike’ ndaj administratorëve të ndryshëm të biznesit.
Ankthi i Policisë së Shtetit e prokurorisë vitet e fundit e ka emrin Florian Gjergji. Ai duket se është bërë “baba” i këtyre skemave, ku herë përdoren emrat e kryebashkiakëve të njohur në vend, e herë emra ministrash.
Edhe sot, ka dyshime se në fakt pas skemës së përdorur për t’i marrë 50 mijë euro një biznesmeni qëndron Gjergji. Por ndërkohë që ky dyshim duhet të verifikohet, në pranga u njoftua se u vendos një 26 vjeçar i identifikuar si Shkëlqim Saraçi, ndërsa në kërkim u shpall një 24 vjeçar i identifikuar si Lulzim D. i cili dyshohet se nuk gjendet në Shqipëri, por në vendin fqinj Itali. Këto dy të fundit, Shkëlqim Saraçi dhe Lulzim D, dyshohet se i kërkuan një biznesi rreth 50 mijë euro, duke u prezantuar si kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj.
“Pazari i fundit” duket se u mbyll me dorëzimin e 20 mijë eurove të para sot, por bashkë me paratë e rregjistruara paraprakisht e skeduara që dorëzoi adminsitratori i një biznesi, shkoi surprizë dhe policia. Në pranga u vu 26 vjeçari dhe në kërkim “truri” i kësaj tentative mashtrime, 24 vjeçari Lulzim D. Por në fakt, hija e Florian Gjergjit tremb hetuesit, të cilët dyshojnë se ai mund të jetë mentori, frymëzuesi e udhëzuesi i 24 vjeçarit në këtë “aventurë’ pasurimi ‘tak-fak’ nëpërmjet “gjobave” në emër të politikanëve. Kjo edhe për faktin se Gjergji duket se gjen “viktima” për të kryer aktin e fundit të mashtrimit; marrjen e lekëve.
Precedentët

Florian Gjergji, është me origjinë nga Shkodra dhe prej disa muajsh ai është një nga personat më të kërkuar për skemat e mashtrimit të biznesmenëve të cilëve u ka marrë shuma të mëdha monetare duke u prezantuar si një zyrtar i lartë.
Episodi i parë ishte ai i një biznesmeni në Kamzë të cilit i kërkoi 13 mijë euro. Në atë kohë, në operacionin “Tentativa” u arrestuan 3 persona të tjerë, të cilët i kishte pajtuar për të kryer mashtrimin, ndërsa vetë Florian Gjergji nuk u gjet. Nga arratia emri i tij doli në skenë për po të njëjtën vepër penale.
Në 13 shkurt ishte “koka” e mashtrimit të një tjetër biznesmeni, pronar i një kazinoje në Tiranë, të cilit sërish i kërkuan para kamufluar si ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame.
Ai ka tentuar të mashtrojë edhe biznesmenin Ram Geci, pasi i shkruajti në aplikacionin “Signal” duke i kërkuar 100 mijë euro, sikur të ishte Erion Veliaj, por sërish nuk ra vetë në grackë.
Në shtator të vitit të kaluar përmes një mesazhi telefonik i mbëritur në aplikacionin “Signal”, Florian Gjergji, për pak sa nuk ka futur në kurth biznesmenin e ndërtimit Alban Eftimi, person ky i lidhur ngushtësisht me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe kryeministrin e vendit Edi Rama.
Edhe në gusht u zbulua një tjetër skemë mashtruese për zhvatjen e biznesmenit lezhjan Ylli Ujkaj, në emër të kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu. Edhe në këtë tentativë mashtrimi fshihet sërish Florian Gjergji. Presidenti i ekipit të basketbollit ‘Besëlidhja’ në Lezhë ra shpejt pre e mashtrimit, pasi u dorëzoi 15 mijë euro njerëzve të porositur nga Gjergji.

Më 1 maj të këtij viti, biznesmenit Flamur Rrushi i mbërriti një mesazh në celular me kërkesën për t’I dhënë 100 mijë euro, duke ju prezantuar në komunikimin me sms si ish-ministri i Brendshëm , Taulant Balla. Pas disa bisedave, biznesmeni i kompanisë së transportit ndërkombëtar të mallrave, sipas udhëzimeve nga personi që mendonte se ishte ministri Balla, i dorëzoi paratë tek një taksist në Tiranë, I cili nga ana e tij ishte mashtruar nga gjergji dhe nuk kishte dijeni për skemën e tij.

Prej muajit janar 2023 gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë dhe prej 22 muajsh ai nuk është mundur të kapet nga policia e kryeqytetit.
Pyetja që mbetet nuk është edhe në sa raste do të tentojë Florian Gjergji të përdorë këtë skemë që i ka “dalë boja”, por pse përdor pikërisht emrat e politikanëve… / Versus

