
TIRANË – Operacioni policor i koduar “Stolen Line” ka vijuar me një tjetër goditje ndaj trafikut të automjeteve të vjedhura jashtë vendit, duke nxjerrë nga qarkullimi një automjet luksoz të dyshuar si i trafikuar në mënyrë të paligjshme.
Në këtë fazë të aksionit, shërbimet e specializuara kanë sekuestruar një automjet tip “Audi SQ8”, me një vlerë të përafërt rreth 50 mijë euro, i cili, pas verifikimeve, rezulton të jetë i vjedhur në Itali.
Sipas të dhënave zyrtare, automjeti dyshohet se është sjellë në Shqipëri me qëllim shitjen në tregun vendas, duke u përpjekur të “zhduheshin gjurmët” e origjinës së tij.
Në lidhje me këtë rast, policia ka identifikuar dhe proceduar penalisht shtetasin V. T., 44 vjeç, i dyshuar si i përfshirë në trafikimin e mjetit të vjedhur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Operacioni “Stolen Line” mbetet në vijim, me fokus goditjen e rasteve të trafikimit të automjeteve të vjedhura jashtë Shqipërisë.

