Avokati i kryebashkiakut të Tiranë, Erion Veliaj, ka ngritur dyshime serioze mbi vlefshmërinë e emërimit të prokurorit Ols Dado.
Pas përfundimit të seancës në Gjykatën Administrative, Plarent Ndreca deklaroi se emërimi i Dados është i pavlefshëm për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore.
Sipas Ndrecës, gjatë gjykimit u bë e qartë, edhe nga përgjigjet e përfaqësuesve të palës së paditur dhe qëndrimi i Presidencës, se kriteret e përcaktuara në ligj nuk janë përmbushur.
Ai theksoi se nëse procedura do të zhvillohej sot, Dado nuk do të mund të emërohej në detyrën e prokurorit.
“Jemi përballë një situate ku shtrohet pyetja nëse kemi një prokuror të ligjshëm apo një qytetar që ka marrë atributet e tij. Ky është një precedent i rrezikshëm, pasi çdo qytetar mund të pretendojë të ushtrojë funksione të tilla në shkelje të ligjit”, u shpreh Ndreca.
Avokati nënvizoi se kërkesa e tyre në gjykatë është konstatimi i pavlefshmërisë absolute të emërimit, duke e cilësuar çështjen jo thjesht si shkelje proceduriale, por si mosplotësim të kritereve bazë ligjore.
Ai shtoi gjithashtu se ligji nuk lejon ekuivalentimin e përvojave të caktuara profesionale, si puna e noterit, me kriteret e kërkuara për emërimin në sistemin e prokurorisë.
Ndërkohë, pala paditëse pret që përfaqësuesit e institucionit të kundërt të paraqesin prova që rrëzojnë këto pretendime, ndërsa çështja mbetet në shqyrtim nga gjykata.
Avokati Ndreca:
Doli i qartë në këtë gjykim edhe nga pyetjet që i bëmë përfaqësuesit të palës së paditur: Nëse plotëson ose s’i plotëson kriteret dhe doli e qartë që s’janë të plotësuara. E gjithë padia ka një qëllim që të investojë gjykatën dhe sot kemi një prokuror që po ngre padi ndaj Erion Veliajt apo një qytetar i thjeshtë që ka marrë atribute të një prokurori.
Kjo hap një precedent, çdo qytetar mund të bëhet prokuror dhe të kthehet në prokuror në shkelje të afateve
Pyetja është a është apo s’është prokuror Dado. Kemi të bëjmë me një akt absolutisht të pavlefshëm dhe kemi kërkuar konstatim të pavlefshmërisë absolute. Doli e qartë nga mospërgjigjja e tij që kriteret e nenit 18 nuk plotësohen. Doli edhe nga përgjigja e përfaqësueses së presidencës.
Ne presim nga pala e paditur që të na provojë të kundërtën nëse ka ushtruar detyra në ato raste që ligji i konsideron si shkaqe përjashtimore. Kjo s’është shkelje, është mosplotësim kriteresh, paligjshmëri dhe pavlefshmëri. Secili prej nesh mund të bëhet prokuror dhe t’u heqë lirinë njerëzve.
Nuk e lejon ligji që të ekuivalohet puna si noter. Janë të përcaktuara në mënyrë shteruese dhe jo zgjeruese.Versus.al


