
Në ditën kur shqiptarët festojnë Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt, eurodeputeti grek Fredi Beleri, ka shkaktuar një reagim të fortë me publikimin e fotografive që lidhen me konceptin e kontestuar të “Vorio Epir”.
Gazetari Marin Mema e ka cilësuar këtë si një provokim të hapur dhe të ulët ndaj shqiptarëve, duke kërkuar që autoritetet shqiptare të mbajnë përgjegjësi Belerin për përfshirjen e tij në historinë e Masakrës së Peshkëpisë, e cila në vitin 1914 shkaktoi vdekjen e mijëra shqiptarëve dhe shkatërrimin e fshatrave në zonën e Kolonjës, Përmetit, Tepelenës, Këlcyrës, Labërisë, Skraparit, Delvinës, Borshit dhe më gjerë.
Mema thekson se akti i Belerit, i kryer me kostumin e eurodeputetit, është një provokim i hapur për të sfiduar tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe kërkon rihapjen e hetimeve për Masakrën e Peshkëpisë. Ai citon dëshmi historike nga autorë të njohur dhe udhëheqës të kohës për të dëshmuar dhunën dhe tragjedinë e vitit 1914, duke bërë thirrje për drejtësi dhe reagim institucional.
Gazetari publikon gjithashtu pamje dhe dokumente historike për të kujtuar pasojat e sulmeve ekstreme ndaj popullit shqiptar dhe për të nxitur ndërgjegjësimin mbi provokimin e fundit nga eurodeputeti grek.
Në fokus të mesazhit është kërkesa për një reagim të menjëhershëm nga autoritetet shqiptare dhe për rifillimin e hetimeve që lidhen me këtë ngjarje historike, për të garantuar drejtësi për viktimat dhe trashëgiminë historike të kombit shqiptar.
Postimi i plotë i gazetarit Mema:
E kuptoni çfarë bëhet? Ky personazhi që nuk gjykohet, që ka një dosje për Masakrën e Peshkëpisë, që shpëton me procedurë…. ky personazhi që fshihet në Parlamentin Europian… publikon sot fotografi të fantazmës së “Vorio Epirit”! Shikoni publikimin e tij në fotografinë e parë! Kujton momente të tilla ekstreme kundër popullit shqiptar! E kuptoni ku ka arritur provokimi ndaj shqiptarëve? Nën këto simbole e pas kësaj thirrje në 1914, lexojeni me kujdes u shkrumbuan Kolonja, Përmeti, Tepelena, Këlcyra, Labëria, Skrapari, Delvina, Devolli, Borshi… e fshatra në të gjithë këtë hapsirë! Janë ekzekutuar patriotë në Korcë, Gjirokastër e deri Berat e kudo… Luftuan çetat shqiptare kudo! Poshtë po ju bashkëngjis Tepelenën, Leskovikun, Hormovën e me rradhë…si mbetën! Si mbetën pikërisht pas sulmeve që reklamon ekstremisti Beleri! Mijëra shqiptarë u vranë, mijëra… Kush nuk i beson këto të dhëna, le të lexojë… Kosta Papa Tomorrin, Sotir Dhosi Treskën, Sevasti Qiriazin, Kristo Dakon, Sejfi Vllamasin, Mithat Frashërin, Nikolla Lakon, Edith Durham, Aubrey Herbert! Të gjithë kanë lënë pas dëshmi tronditëse për 1914! Ku je o Çerçiz Topulli, Sali Vranishti e Selam Musai, Mihal Grameno, At Stath Melani, Sali Butka, Ahmet Lepenica e Servet Zaloshnja, Lace Backa, Sulo Beqiri, Halil Sullo, Hasan Xhiku e shumë e shumë trima të tjerë… ku jeni o burra që luftuat në atë kohë të vështirë të 1914! Si mund të heshtin autoritetet? Kjo është një thirrje e hapur kundër tërrësisë territoriale të shtetit shqiptar! Rihapni dosjen, rihapni hetimin për Peshkëpinë, shkojini deri në fund! Rihapni dosjen… që po këlthet nga viti 1994! Shpirti i Fatmir Shehut e Arsen Gjinit kërkon drejtësi! Drejtësia duhet të reagojë! Duhet reagim për të hetuar Masakrën e Peshkëpisë deri në fund! Faktet janë! Heshtja është e pafalshme!/Versus.al

