
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas dhunimit të avokatit Kujtim Cakrani, duke e cilësuar ngjarjen si një “akt kriminal shtetëror të shëmtuar”.
Në reagimin e tij publik, Berisha thekson se avokati Cakrani është sulmuar pa asnjë shkak, vetëm për shkak të ushtrimit të detyrës së tij profesionale, ndërsa bën me dije se ai ndodhet i shtruar në spital me fraktura në kokë.
Sipas liderit demokrat, ky akt përbën një krim të parapërgatitur, të frymëzuar dhe të sponsorizuar politikisht, duke e konsideruar dhunimin si pjesë të një klime presioni dhe intimidimi ndaj avokatëve dhe drejtësisë.
Partia Demokratike i ka uruar shërim të shpejtë dhe të plotë avokatit Kujtim Cakrani, ndërsa Berisha ka deklaruar se përgjegjësia për këtë ngjarje është direkte dhe se drejtësia mund të vonojë, por nuk harron.

