Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të PS në Vaun e Dejës, Kristian Shkrelit.
Shkrelit iu komunikua akuza zyrtare “korrupsion në zgjedhje”. Ndërsa kërkesa e SPAK për kalimin në gjykim të dosjes, do të shqyrtohet nga gjyqtarja e posaçme, Flora Haradinaj.
Më 3 tetor, kryebashkiaku i Vaut të Dejës u mor i pandehur nën dyshimin se kishte blerë vota për partinë Socialdemokrate të Tom Doshit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Një sinjal për këtë gjë e pati dhënë edhe vetë kryeministri Edi Rama gjatë një takimi elektoral në Vaun e Dejës ku iu drejtua Shkrelit me fjalët “Kristian mos luaj me dy porta”.
Në maj atij iu sekuestrua telefoni me vendim të GJKKO-së dhe iu ushtruan kontrolle në banesë e zyra. Disa ditë më parë në SPAK u paraqit edhe kreu i PSD, Tom Doshi i cili tha se thirrja e tij nuk lidhej me ndonjë proces hetimor ndaj tij. Versus.al


