Studiuesi Taulant Muka ka publikuar një denoncim të fortë në lidhje me doktoraturën e Igli Tafës, i sapoemëruar Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas postimit të Mukës, doktoratura e Tafës e mbrojtur në vitin 2013 në Universitetin Politeknik të Tiranës përmban kopje fjalë për fjalë nga leksionet e profesoreshës rumune Dana Petcu (2009).
Në kapitullin e parë të doktoraturës, thuhet se teksti dhe struktura përputhen identikisht me materialin origjinal të profesoreshës, duke e cilësuar këtë rast si një shembull të keq se si merren gradat dhe titujt shkencorë në Shqipëri.
Denoncimi lidhej gjithashtu me një artikull të vitit 2011 të cilin Tafa e kishte kopjuar nga studime malajziane dhe indiane, duke e shfaqur plagjiaturën si problem të përsëritur.
Mungesa e publikimit të doktoraturës së Tafës në faqen zyrtare të Universitetit Politeknik sipas ligjit për transparencën në arsimin e lartë theksohet si një tjetër shqetësim, duke nxjerrë në pah çështjen e aksesit të kufizuar publik ndaj disertacioneve dhe ndikimin në meritokracinë akademike.
Ky denoncim vjen pikërisht në kohën kur Igli Tafa merr drejtimin e një prej agjencive më të rëndësishme të teknologjisë së informacionit në vend, duke rritur shqetësimet mbi standardet etike dhe profesionale në administrimin e titujve akademikë në Shqipëri.
Postimet:
DOKTORATURË PLAGJIATURE – Rasti i dytë i Igli Tafës, Drejtorit të AKSHI-t!
"Leksionet e profesoreshës rumune Dana Petcu (2009) janë përdorur fjalë për fjalë si kapituj në doktoraturën e Igli Tafës (mbrojtur 2013, Universiteti Politeknik i Tiranës). Pra: shënime leksionesh të një profesoreje të huaj, të paraqitura si punë doktorature!
Që në kapitullin e parë del qartë kopjimi, teksti dhe struktura përputhen identikisht. Ky është standardi i drejtorit të AKSHI-t. Një shembull i keq se si merren gradat dhe titujt shkencorë në Shqipëri, duke dëmtuar arsimin dhe meritokracinë.
Denoncimi i djeshem për artikullin e 2011 kopjuar nga studime malajziane e indiane nuk eshte plagjiature e izoluar e z. Tafa. Si është e mundur që në vitin 2026, kur teknologjia e zbulon kopjimin menjëherë dhe kur mijëra shqiptarë janë edukuar në universitetet më të mira në botë, ne ende drejtohemi nga plagjiatura?
Doktoratura e z. Tafa nuk shkarkohet online në faqen e Universitetit Politeknik, siç kërkon ligji për transparencën në arsimin e lartë dhe aksesin publik të disertacioneve. Kjo mungesë aksesi publik tregon edhe arsyen pse qeveria dhe Biblioteka Kombëtare kanë kufizuar ose "kycur" doktoraturat nga qasja e lirë: praktikisht kane bllokuar meritokracinë dhe të ardhmen e vendit”
“Dashuria e Kryeministrit Rama për plagjiaturën s’ka fund…
Artikulli shkencor i vitit 2011 i Igli Tafës, drejtorit të ri të AKSHI, është kopjuar fjalë për fjalë (copy–paste) nga studime të publikuara më herët në Malajzi dhe Indi. Mes mijërave shqiptarëve të arsimuar, Kryeministri sërish provon se plagjiaturën e ka kriter për drejtuesit.
Bëhet fjalë për studimin: “A Survey of QoS Routing Protocols for Ad Hoc Netëorks” (2011), i cili rezulton identik me pjesë nga dy artikujt e Aisha-Hassaan (2008) dhe I. Latha (2009).
AKSHI është institucioni që administron sistemet digjitale të shtetit dhe të dhënat e qytetarëve. Si mund të drejtohet një institucion kaq kritik nga dikush me një precedent të tillë?
Dhe pyetja tjetër: a është vetëm ky artikull i tij 100% copy–paste?
Rasti nuk duket i izoluar: edhe ish-drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e kemi treguar për doktoraturën 100% plagjiaturë.
Pas gjithë ngjarjeve të rënda që lidhen me AKSHI, janë të qarta pasojat kur institucione kritike drejtohen nga njerëz me standarde të ulëta profesionale”

