
Afera me fondet e rindërtimit të Rrogozhinë është tashmë në duart e Prokurorisë së Posaçme, dhe hetimet pritet të zgjerohen duke përfshirë zyrtarë të tjerë të lartë të dyshuar se janë implikuar në shpërdorimine fondeve duke i shkaktuar një dëm buxhetit prej 3.5 milionë euro.
Prokuroria e Durrësit ka shpallur mos kompetencën mbi dosjen pas dyshimeve se të implikuar janë edhe funksionarë që hetohen nga SPAK-u.
Me short, prokuror i kësaj çështjeje është caktuar Elvin Gokaj. Më 30 shtator me kërkesë të prokurorisë Durrës u vunë në pranga 5 punonjës të Bashksisë Rrogozhinë për një dëm prej 3.5 milionë euro ndërsa nën hetim janë edhe 78 të persona të tjerë.
“Nga hetimi rezulton se shtetasit e sipërcituar kanë kryer veprat e mësipërme penale në të paktën 78 raste. Nga hetimi rezulton se banesat për të cilat është dhënë dëmshpërblimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti nuk kanë qenë për strehim por në dosjet e tyre janë shënuar objekte të tjera, përfshi dhe kasolle të derrave e lopëve. Gjithashtu, krahas personave të ndaluar, në hetim janë dhe 78 shtetasit të cilët kanë bashkëpunuar për përfitimin e fondeve të rindërtimit. Këta të fundit akuzohen për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal”, njoftoi më herët prokuroria e Durrësit.







