Policia e Tiranës ka proceduar penalisht dy persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarjen e ndodhur më 25 prill në një rezidencë në Farkë, ku u dhunua brutalisht Kristi Fufi, djali i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi.
Të proceduarit janë shtetasit me iniciale D. D., 37 vjeç dhe A. L., 38 vjeç, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosje”. Sipas Policisë, ata dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që hyri me forcë në ambientet e një lokali në Farkë, ku ndodhej 19-vjeçari Kristi Fufi.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, kur disa persona të armatosur me shkopinj dhe sende të forta, të cilët mbërritën me automjet në vendin e ngjarjes, sulmuan të riun pasi e kërkuan për minuta të tëra brenda dhe jashtë lokalit. Dyshohet gjithashtu se njëri nga agresorët mbante edhe një armë zjarri, por nuk ka bërë përdorim të saj.
Pas dhunës së ushtruar, Kristi Fufi përfundoi në spital me plagë të shumta në kokë dhe trup, si pasojë e goditjeve të rënda.
Ndërkohë, Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e pjesëtarëve të tjerë të përfshirë në sulmin e dhunshëm, ndërsa materialet janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.
Si ndodhi ngjarja
Konflikti duket se ka nisur nga nje xhirim gomash në kompleksin rezidencial. Pas 'fërkimit' të parë, disa persona me makinë që kanë mbërritur në lokalin ku po qëndronte Krist Fufi.
Ata kanë marrë shkopinj e sende te forta nga bagazhi i automjetit së tyre dhe kanë sulmuar 19-vjeçarin.
Sapo kanë mbërritur agresorët nuk e kanë gjetur të riun dhe kanë hyrë edhe brenda lokalit duke e kërkuar derisa e kanë gjetur dhe e kanë dhunuar.
Dyshohet se një prej agresorëve ka pasur edhe një armë zjarri në dorë por nuk ka qëlluar. Për këtë ngjarje u përfol si i përfshirë dhe 38-vjeçari Kliton Sulçe, i njohur si personazh në botën e Call Center dhe Forex, por zyrtarisht emri i tij nuk figuron mes personave të proceduar.








