
Situata në zonën e ish-Uzinës Dinamo në Tiranë u tensionua edhe më tej, pasi një përfaqësues i OSHEE-së mbërriti në lagje mes akuzave se ishte atje për të ndërprerë energjinë elektrike. Sipas qytetarëve, ky veprim po bëhet në kuadër të përpjekjeve për t’i detyruar banorët të largohen nga banesat e tyre, për t’i hapur rrugë shembjes së ndërtesave.
Punonjësi i OSHEE-së deklaroi se ndodhej aty “për mbështetjen e zonës” dhe mohoi se kishte ardhur për të ndërprerë energjinë:
“Nuk kam ardhur t’ju pres dritat,” tha ai, ndërsa përballej me një grup të zemëruar banorësh që e akuzonin për gënjeshtra.
“Shikoni si gënjen!” thërriste një qytetare, teksa banorët e tjerë e ndiqnin punonjësin hap pas hapi duke i kërkuar llogari për vendimin dhe për të parë urdhrin zyrtar.
“Ku e ke urdhrin? Ku është urdhri?” insistuan ata, ndërsa përfaqësuesi i OSHEE-së tha se mund të sillte “shefin e grupit për sqarime” dhe këmbënguli se bëhej fjalë për një kërkesë për mbyllje kontrate, jo për një urdhër për ndërprerje të menjëhershme.
Konfrontimi kaloi në tone më të ashpra, me qytetarët që e akuzuan punonjësin për zbatim urdhrash politikë dhe ndërhyrje të paligjshme:
“Mos merrni urdhra të paligjshëm, se do keni pasoja.”
“Për çfarë ke ardhur ti, hajdut, mashtrues?”
“Hajde zbato urdhrin, pse s’ua mban!
“O mortje, o njerëz të poshtër që vini me patronazhim se çfarë u thotë partia. Këta s’janë njerëz.” u dëgjua nga turma, që e akuzonte OSHEE-në dhe institucionet për patronazh politik dhe presion të organizuar.
Zyrtari i OSHEE-së u detyrua të largohej nën presionin e qytetarëve, të cilët e ndoqën nga pas duke i kërkuar sqarime për ndërprerjen e shërbimeve.







