
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj doli pas tre orësh nga ambientet e SPAK. Karçanaj zgjodhi të mos fliste para mediave, teksa u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme në lidhje me hetimin për abuzimin me tenderat e zhvilluara nga institucioni që ajo drejton. SPAK është duke hetuar dymbëdhjetë procedura tenderuese me vlera të larta monetare për mirëmbajtjen e serverëve të institucioneve shtetërore.
Dyshohet se kriteret e këtyre tenderave janë hartuar në mënyrë të tillë që t’i favorizonin kompanitë që garonin, duke u krijuar mundësinë të fitonin kontrata me miliona euro.
Më herët është marr në pyetje nga SPAK edhe biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili rezulton person nën hetim për këtë çështje.
Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë marrë në pyetje rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, mes tyre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, për të treguar detaje në lidhje me procedurat e tenderave.
AKSHI, institucion përgjegjës për shërbimet IT të administratës publike, prej kohësh është në qendër të akuzave për tendera të parregullt. Pak kohë më parë, ish-zyrtari Daniel Shima u zhduk për rreth 10 orë, menjëherë pasi kishte dhënë dëshmi në SPAK për tenderat e dyshuar, ngjarje që ngriti dyshime dhe alarmoi familjarët e tij.
SPAK po vijon hetimet për të zbuluar abuzimet e mundshme në tenderat e organizuar nga AKSHI-i.
