
“Po vërtetoj ato që ka thënë e gjithë Shkodra për ty që ti je…”, kjo ka qenë fjalia me të cilën Gjon Shkambi iu drejtua gjyqtarit Astrit Kalaja para se nipi i tij të nxirrte armën dhe ta vriste.
Pas thirrjes së Gjon Shkambit, Kalaja i është përgjigjur me fjalët “vazhdo ti vazhdo” dhe në këtë moment autori Elvis Shkambi ka nxjerrë armën tip “pistoletë” duke qëlluar 3 herë në drejtim të gjyqtarit.
Këto të dhëna kanë dalë nga i plagosuri, Elvis Kurtaj i cili së bashku me babain e tij Ragip Kurtaj ishte palë kundërshtare në process. Sipas Kurtajt, në atë moment ai ka tërhequr të atin e tij për t’ju shmangur kësaj situate të rëndë duke dalë në korridor. Por pasi qëlloi gjyqtarin, autori ka nisur të qëllojë drejt tyre duke i lënë të dy të dëmtuar.
Në prokurori ka dëshmuar edhe Gjon Shkambi i cili nuk ka dhënë shumë sqarime për ngjarjen. Ai tha se është viktimë në këtë rast pasi nuk ka vrarë askënd dhe se as nuk e dinte çfarë do të ndodhte. Elvis Shkambi është djali i vëllait të tij dhe kanë një pronë të përbashkët për të cilën ishin në gjyq. Kaq ka qenë informacioni që ka dhënë i arrestuari tjetër për këtë ngjarje.
Ndërsa Elvis Shkambi ka rrëfyer se nuk ishte hera e parë që futej i armatosur nëpër gjykata dhe se armën e dispononte prej 10 vitesh, por vetëm ditën që vrau gjyqtarin kishte qëlluar për herë të parë. Dosja evidenton edhe pasazhe të komunikimeve të 30 vjeçarit me xhaxhain e tij Gjon Shkambi pas krimit të rëndë.
“Pas ngjarjes kam patur një tronditje të rëndë psiqike. Kam dal në oborr bashkë me xhaxhin, i kam dhënë atij çelsat e makinës, duke i kërkuar që të largohej, pasi ai nuk kishte punë, por xhaxhai nuk u largua”- ka thënë Shkambi.
Të dy qëndruan në oborr derisa u afruan shërbimet e policisë të cilëve vetë Shkambi u thirri për t’u treguar se ai ishte autori i ngjarjes së rëndë. Xhaxhai i autorit ka qenë pranë tij në momentin kur 30 vjeçari vrau gjyqtarin dhe mbeti i shokuar duke thënë vetëm fjalët: “Na fike!”.
Sa i takon armës pistoletë, mësohet se Shkambi kishte qenë me të në brez në të gjitha seancat gjyqësore që ishin zhvilluar, madje e kishte mbajtur edhe në institucione të tjera. Sipas tij, armën e mbante për vetëmbrojtje dhe jo për t’u bërë presion gjyqtarëve. Në momentin që ka qëlluar ndaj gjyqtarit, ka ndjerë urrejtje të madhe ndaj tij për vendimin e padrejtë të dhënë ndaj tye. Sipas prokurorisë referuar dëshmisë autori është i penduar për të gjithë çfarë ndodhi, pasi nuk dëshironte të përfundontë kështu, por gjithçka ishte një tronditje e çastit nga ai vendim”. Versus.al







