
Pasuria e Sanja Telhallarit dhe familjarëve të saj është vënë nën hetim, pasi shumica e tyre nuk justifikohen nga të ardhurat e saj si notere.
Deri tani, janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme dhe disa llogari bankare, të cilat dyshohet se nuk korrespondojnë me aktivitetin ligjor të saj.
Telhallari nuk është një emër i panjohur për mediat. Ajo shpesh është shfaqur në publik duke treguar stilin e jetesës luksoze, si dhe në rrjetet sociale. Në vitin 2023, ajo u bë objekt i një incidenti kur një individ tentoi të vidhnin makinën e saj “G-Class” dhe e goditi në prani të policisë.
Po ashtu, në korrik të këtij viti, vila e saj në zonën “Rolling Hills” në Tiranë u plaçkit nga hajdutët, të cilët vodhën orë luksoze Rolex dhe Breitling, çanta të shtrenjta, bizhuteri dhe objekte të tjera me vlerë që arrijnë qindra mijëra euro, ndërsa dy çanta – një Guess dhe një Moschino – mbetën të paprekura.
Hetimet nuk lidhen vetëm me Telhallarin, por edhe me familjarët e saj. Babai, Arjan Telhallari, 67 vjeç, dhe vëllai janë përfshirë më parë në një përplasje me Lendi Palajn, një figurë e njohur në botën e llotove, tashmë i arrestuar.
Babai i saj u kap duke lëvizur i armatosur në Tiranë, duke kërcënuar Palajn për kontrollin e llotove, por më pas u lirua nga gjykata me pretendimin se ishte i moshuar./Versus.al







