
Itali- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda një familje shqiptare në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Casertas ku burri ka vrarë gruan.
Pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, çifti i të rinjve shqiptarë janë përleshur me njëri-tjetrin dhe për pasojë 30 vjeçari Lulzim Toçi ka vrarë gruan e tij 24 vjeçare duke e mbytur. Krimi i rëndë ndodhi në sy të dy fëmijëve të mitur, 4 dhe 6 vjeç.
Autori shqiptar u arrestua nga policia, ndërsa mediat italiane shkruajnë se në momentin kur karabinierët e gjetën në banesë aty ku sapo kishte kryer krimin, ai ishte në gjendje shoku.
Policia italiane po vijon me hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Kjo është ngjarja e katërt e rëndë e ndodhur ditët e fundit në vende të huaja ku viktima është me kombësi shqiptare. Dje një 28 vjeçar i identifikuar si Denis Loka u vra nga dy kushërinjtë e tij adoleshentë, vëllezërit Enis e Aleksandro Loka të cilët pretendonin se kur kishin qenë të mitur viktima kishte abuzuar me ta.
Në Spanjë, të hënën një shqiptar u vra me plumb në kokë dhe u la i braktisur para spitalit të Gironës nga një mjet tip “Audi”. Identiteti i viktimës ende nuk është publikuar nga mediat e huaja, ndërsa një person u vetëdorëzua në polici si pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë. Dyshimet e policisë janë se bëhet fjalë për mosëmarrëveshje në trafikun e drogës.
Ndërsa të dielën, Beni Arshia një 37 vjeçar shqiptar u ekzekutua me plumb në kokë nga dy persona me motor të cilët hapën zjarr ndaj tij sapo kishte mbërritur në banesë pas punës si murator. Për këtë të fundit, ende nuk ka një pistë konkrete hetimi. Versus.al








