Në 7 Shkurt 2025, një 75-vjeçare, Xhevrije G., dikur teknologe dhe më pas aksionere e vogël në shoqërinë ish-publike, “Prodhim Veshje nr.2” Tiranë, ngjit ngadalë shkallët e Prokurorisë së Tiranës.
Ajo ndihej e mashtruar nga aksionerja kryesore, njëkohësisht edhe administratorja e kompanisë, Elisabeta Dosti. Xhevrija deklaroi para grupit hetimor se biznesmenia Dosti kishte përfituar shuma të konsiderueshme nga qiradhënia e ambjenteve të ish-ndërmarrjes së Prodhim-Veshje nr.2, në Tiranë, madje edhe kishte shitur prona të përbashkëta, pa ndarë asnjë fitim me rreth 70 aksionerët e tjerë.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet dhe, pas më shumë se 7 muajsh, arriti në konkluzionin paraprak se Elisabeta Dosti kishte ndërtuar një rrjet për transferimin e aseteve të kompanisë me shumë ortakë, tek një tjetër shoqëri private, e krijuar fillimisht prej saj dhe më tej të transferuar tek e bija, Romina Dosti.
Në fund të nëntorit 2025, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë dhe caktoi masën e “arrestit në shtëpi” për Elisabeta Dostin, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të “falsifikimit të dokumentave” dhe “pastrimit të parave”
Ngjarja, e rindërtuar në vendimin gjyqësor të lexuar nga “Boldnews.al”, tregon për një histori tipike me privatizimin e ish-ndërmarrjeve shtetërore të para viteve ’90. Një histori ku, dikush, me më shumë fuqi ekonomike dhe ndikim në jetën shoqërore, shmang totalisht aksionerët e vegjël, të cilët vetëm emrin kanë në letra, ndërkohë që fitimet shkojnë diku tjetër.
Privatizimi
Në vitin 1995, Ministria e Financave e kohës, organizon procedurën e privatizimit të ndërmarrjes shtetërore “Prodhim Veshje nr.2” Tiranë, me seli qendrore tek ish-Uzina Gjeologjike, pranë “Ali Demit” në Tiranë. Ndërmarrja kishte prona edhe në zona të tjera të kryeqytetit, përfshirë troje në anën e lumit Lanë, pranë ish-NSHRAK-ut.
Në momentin e privatizimit, 49 përqind e aksioneve iu shpërndanë punonjësve, ndërsa 51 përqind i mbajti vetë shteti. Në vitin 2000, biznesmenia Elisabeta Dosti blen aksionet e shtetit në një procedurë ankandi. Në vitet më pas, zonja Dosti blen aksione të ndryshme nga ortakët e vegjël, duke arritur në shifrën 94%.
Kallëzuesja Xhevrije, si edhe të tjerë aksionerë, kanë deklaruar para Prokurorisë së Tiranës se, që prej privatizimit, ata nuk kanë përfituar asgjë, megjithëse ambjentet e shoqërisë i janë dhënë me qira nga Elisabeta Dosti subjekteve të ndryshëm, përfshirë edhe një universiteti privat.
Zvogëlimi i kapitalit
Rezulton se me vendimin Nr. 1 të Asamblesë, datë 21.04.2013 është vendosur zvogëlimi i kapitalit të shoqërisë dhe transferimi i pasurive të paluajtshme të saj si kapital themeltar i shoqërisë “Ela Ela Double Trouble” sh.p.k., e cila ka ndryshuar emrin në “EIS” sh.p.k..
Në prill të vitit 2013, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) regjistrohet vendimi i Asamblesë së Ortakëve për zvogëlimin e kapitalit të shoqërisë “Prodhim Veshje nr.2” dhe transferimi i pasurive të paluajtshme të saj si kapital themeltar për shoqërinë “Ela Ela Double Trouble” shpk (e cila më pas ka ndryshuar emrin në “Empire Investment Solution”, e themeluar nga Elisabeta Dosti.
Konkretisht, aksionerja më e madhe dhe administratorja e “Prodhim Veshje nr.2”, Elisabeta Dosti, kalon tek “EIS” shpk, po në pronësi të saj, 8.934 m2 truall dhe 2100 m2 ndërtesa
Dy nga kallëzueset, Xhevrije G. dhe Vasilika B. kanë deklaruar para grupit hetimor se nuk janë pyetur dhe as nuk kanë dhënë autorizim për zvogëlimin e kapitalit dhe tjetërsimin e pronave të “Prodhim Veshje nr.2” shpk.
“Manovra” me ekspertizën financiare
Shoqëria “Prodhim Veshje nr.2” shpk ka dorëzuar në 4 shtator të vitit 2013 në Qendrën Kombëtare të Biznesit një akt-ekspertimi të dy ekspertëve, në të cilët është sugjeruar zvogëlimi i kapitalit të shoqërisë aksionare dhe tjetërsimi i pronave të saj tek kompania “EIS” shpk, në pronësi të Elisabeta Dostit.
Të pyetur në prokurori, dy ekspertët kanë konstatuar se raporti i dorëzuar në QKB nga Elisabeta Dosti është i ndryshëm nga ai që kishin hartuar ata.
Më së pari, njëri prej ekspertëve ka deklaruar se akti i tyre i ekspertimit mban datën Prill 2013, ndërkohë që ai i dorëzuar në QKB është i shtatorit 2013.
Po ashtu, të dy ekspertët kanë deklaruar në Prokurori se ata kanë miratuar aktin vetëm për zvogëlimin e kapitalit të shoqërisë “Prodhim Veshje nr.2” dhe jo për tjetërsimin e aseteve.
Mes dy raporteve, atij të hartuar nga ekspertët dhe atij të dorëzuar në QKB nga administratorja Elisabeta Dosti, ka edhe ndryshime të tjera, të cilat kanë bindur Prokurorinë e Tiranës se gjithçka është ndërtuar mbi bazën e dokumentave të falsifikuar.
“Lëvizjet” nënë e bijë
Referuar dosjes hetimore, rezulton se, pas kalimit të pasurive të “Prodhim Veshje nr.2” tek “Ela Ela Double Trouble” (më pas “Empire Investment Solution-EIS)”), fillon një tjetër histori për tjetërsimin e tyre në favor të njerëzve të afërt të Elisabeta Dostit.
Fillimisht, në shkurt 2014, Elisabeta Dosti transferon 50 përqind të aksioneve të saj që kishte “EIS” tek Suela S. Një vit më pas, Suela ia rikthen Elisabeta Dostit sërish me dhurim aksionet.
Në Tetor 2015, ndërmjet “EIS” shpk, në pronësi të Elisabeta Dostit dhe kompanisë “Astro 2000” shpk, e krijuar nga vajza e saj, Romina Dosti, nënshkruhet marrëveshje për shkëmbim kuotash. Në atë moment, kompania “EIS” dhe të gjithë kapitalet e saj zotëroheshin nga Romina, ndërkohë që Elisabeta kalon pronare e “Astro 2000” shpk.
Bazuar në aktet e mbledhura gjatë hetimit, rezulton se Elisabeta Dosti rezulton administratore e “EIS” shpk deri në 28 janar 2017, kur është larguar përfundimisht (sipas dokumentave).
“Bingo 1 mln euro” me “oligarkun” Allajbeu
Prokuroria e Tiranës thotë se, bazuar në kontratat e administruara, ka rezultuar se që nga koha e transferimit të aseteve të paluajtshme nga shoqëria “Prodhim Veshje Nr. 2” sh.a. tek shoqëria “EIS” sh.p.k. me ortak të vetëm Elisabeta Dosti, “kjo e fundit nëpërmjet kontratave të qerasë, shitjes dhe të sipërmarrjes ka përfituar të ardhura të konsiderueshme duke shmangur aksionerët e tjerë që zotërojnë 6 % të aksioneve”.
Prokuroria ka konstatuar se “Empire Investment Solution-EIS” shpk e Elisabeta Dostit, krahas kontratave të qirave, ka nënshkruar edhe të paktën një kontratë shitjeje, me vlerën e një “bingoje” të vërtetë.
“Shoqëria “EIS” sh.p.k. ka lidhur kontratë shitje Nr. 7871 Rep., Nr. 3133 Kol., datë 18.12.2019 sipas së cilës i ka shitur shoqërisë “Evita” sh.p.k. kundrejt vlerës 1 000 000 euro pasuritë Nr. 2./335, Nr. 2/336 dhe Nr. 2/338”, thuhet në dosjen hetimore, të konsultuar nga “Boldnews.al”.
Kompania blerëse, “Evita” shpk është e lidhur me shumë fije me biznesmenin e spitaleve private, Klodian Allajbeu.
Mbrojtja e Elisabeta Dostit
Në 27 nëntor 2025, biznesmenia Elisabeta Dosti u paraqit në Gjykatën e Tiranës, për t’u njohur me masën e sigurimit “arrest në shtëpi”.
Para trupës gjykuese, Dosti deklaroi se shoqëria “Prodhim Veshje Nr. 2” është blerë nga ana e saj në ankand shtetëror dhe burimi i saj është i ligjshëm. Sipas saj, çdo vendim shoqëria e ka marrë në mbledhje asambleje dhe çdo vendim ka kaluar për miratim nga këshilli mbikëqyrës.
Njoftimet e aksionerëve janë bërë rregullisht nga qendra e aksioneve. Për shkak se ajo ka pasur 97% të aksioneve, pra mbi 75%, sipas ligjit, i lindte e drejta të bënte zvogëlim – zmadhim kapitali apo transferim të tij. Bazuar mbi këtë të drejtë ajo ka transferuar një pjesë të kapitalit tek shoqëritë e tjera të krijuara prej saj.
Aksioneret e tjera nuk kanë aksione tek pasuritë e paluajtshme, por tek makineritë, për shkak të vlerës shumë të ulët të tyre. Gjithashtu, kjo shtetase ka deklaruar se aktet e ekspertimit janë kryer nga ekspertë të emëruar në mënyrë të rregullt dhe pretendimet e tyre në deklarimet e dhëna janë të pavërteta.
Pasi dëgjoi argumentat e Prokurorisë dhe mbrojtjes, Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për 59-vjeçaren Elisabeta Dosti, e dyshuar për “falsifikim dokumentash” dhe “pastrim parash”./Marrë nga Boldnews

