
Një 33-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar nga Policia Shqiptare me qëllim ekstradimin në Itali.
Bëhet fjalë për Erjon Merën, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Napolit me 8 vite e 6 ditë burg për një sërë veprash penale të rënda.
Mera akuzohet për “Grabitje me armë”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, sipas Kodit Penal italian.
Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit “The Wanted”, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit, në bashkëpunim me Seksionin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale.
Ky operacion u zhvillua në koordinim të ngushtë me autoritetet italiane, përmes shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Aktualisht, po vijon procedura për ekstradimin e tij drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane./Versus.al







