AKTUALITET /

Episod i ri korrupsioni, SPAK: Meta e Kryemadhi shpenzuan 240 mijë euro nga karta bankare e biznesmenit

Sipas informacionit të marrë nga letërporositë që SPAK ka administruar, nga viti 2014 deri në 2017-ën nga karta bankare u bënë shpenzime për qëndrime në hotel në Londër, Las Vegas e Bevery Hills dhe udhëtime me avion.

Shkruar nga Versus
Episod i ri korrupsioni, SPAK: Meta e Kryemadhi shpenzuan 240 mijë euro nga
Biznesmeni Adrian Shatku, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi rezulton se kanë shpenzuar mbi 240 mijë euro me kartën e dytë bankare të cilën ua kishte vënë në dispozicion biznesmeni shqiptaro-amerikan Adrian Shatku.

Sipas SPAK, ky përfundim është nxjerrë nga letërporositë e administruara nga disa shtete të huaja mbi pagesat që janë kryer me këtë kartë të dytë bankare online. Mësohet se bëhet fjalë për fatura të qëndrimit në hotele në Londër, Bevery Hills, Las Vegas si dhe udhëtime me avion, të gjitha të kryera gjatë periudhës nga viti 2014 deri në 2017-ën.

Në seancën e kaluar në GJKKO ku iu rrëzua kërkesa për lirim nga qelia, Meta mohoi të ketë kryer veprime me këtë kartë bankare duke e vënë përgjegjësinë tek ish-bashkëshortja e tij. Në reagimin e publikuar në rrjetin e tij social, ish-presidenti shprehej se një prej arsyeve të divorcit me Kryemadhin ishte edhe ekzistenca e kësaj karte, për të cilën pretendon se nuk ka patur dijeni.

Duke ritheksuar se nuk ka patur lidhje të ngushtë me biznesmenin Shatku dhe se ishte njohje e Kryemadhit, Meta u distancua nga blerjet me kartë bankare duke thënë se mban përgjegjësi vetëm për veten e tij. Versus.al

Poll