AKTUALITET /

“Familjarët nuk u interesuan”, 2 vite pasi u vra në burgun e Peqinit, tërhiqet nga morgu trupi i Arben Lleshit

Familjarët nuk u paraqiten për rreth dy vite për të tërhequr trupin, dhe ngritën pretendimin se kishin dyshime të mos bëhej fjalë për të afërmin e tyre.

Shkruar nga Versus
“Familjarët nuk u interesuan”, 2 vite pasi u vra në burgun
Viktima Arben Lleshi

Rreth dy vite pas vrasjes së tij në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, është tërhequr nga morgu trupi i Arben Lleshit. Prokuroria e Elbasanit konfirmon se trupi është nxjerr me autorizimin përkatës dhe është varrosur nga autoritetet vendore të Matit, për shkak se familjarët nuk patën interesim.

Trupi sipas një informacioni të marrë në rrugë zyrtare nga Instituti i Mjekësisë Ligjore është tërhequr nga kjo e fundit më datë 20 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa ngjarja ka kaluar pa tërhequr vëmendjen e mediave. Vrasja pa motiv deri më tani u krye nga Sokol Mjacaj, një tjetër i dënuar e që mbahet akualisht në regjimin e posaçëm 41 biss.

Ndërkohë, lidhur me pretendimet e familjes Prokuroria e Elbasanit ka arritur të provojë në mënyrë shkencore se personi i vrarë më 15 dhjetor të vitit 2023 është Arben Lleshi. Familjarët nuk u paraqiten për rreth dy vite për të tërhequr trupin, dhe ngritën pretendimin se kishin dyshime të mos bëhej fjalë për të afërmin e tyre. Verifikimi është bërë përmes gjurmëve të gishtave, dhe pas kësaj Prokuroria e Elbasanit i ka nisur rezultatet IML-së. Më herët mos përgjigja e familjarëve ishte parë si hezitim për shkak të frikës nga hakmarrja, duke qenë se i afërmi i tyre ishte dënuar përjetë për vrasje.

Ngjarja në fjalë daton në vitin 2012 kur vritet dhe më pas digjet trupi i Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe, ngjarje për të cilën faji iu ngarkua Arben Lleshit dhe të vëllait Afrimit. Pas kësaj, familja Lleshi humbi katër pjesëtarë mes të cilëve të vrarë e të zhdukur. Ekzekutimi i Arben Lleshit brenda burgut të Peqinit nga Sokol Mjacaj ku mbeti i plagosur dyshohet aksidentalisht edhe Indrit Shaqja, u dyshua si vijim i sagës së hakmarrjes. Prokuroria dyshon se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, por ende nuk ka mundur të identifikojë porositësit, teksa autori i krimit ka kyçur gojën duke vështirësuar zbulimin e shkakut dhe personave të interesuar për eliminimin e të dënuarit.

Vrasja e Lleshit ndodhi vetëm disa orë pasi Ministria e Drejtësisë njoftoi vendimin për ta futur Sokol Mjacajn në regjimin e ashpër 41 biss me motivacionin se komunikonte me jashtë dhe vazhdonte aktivitetin kriminal nga qelia. Kjo ngjarje nxori në pah jo vetëm mungesën e sigurisë por edhe trajtimin e të dënuarve në mënyrë preferenciale. Mjacaj ishte dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çek në 2015 në Prekal të Malësisë së Madhe. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: