
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me plagosjen e një efektivi policie mbrëmjen e sotme në aksin Fier–Dimal, në dalje të fshatit Kutalli.
Sipas informacionit paraprak, ngjarja ka ndodhur gjatë transportimit të një shtetasi të shoqëruar nga policia drejt Komisariatit të Kuçovës. Personi i ndaluar, i identifikuar si Zamir Skënderi, ishte ulur në sediljen e pasme të automjetit të policisë, së bashku me një nga efektivët.
Gjatë udhëtimit, ai dyshohet se ka arritur t’i marrë armën e shërbimit efektivit dhe e ka qëlluar në kofshë, duke e plagosur. Më pas ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet.
Efektivi i plagosur është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

