
Pas takimit të zhvilluar në Sarandë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mbi problematikat e ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të hapësirave publike, kanë nisur lëvizjet e para në strukturat përgjegjëse të territorit.
Mësohet se drejtori i Drejtorisë Rajonale të IKMT-së në Vlorë, Elton Caslli, është larguar nga detyra, duke paraqitur dorëheqjen pas nisjes së procedurave për masa administrative nga IKMT qendrore.
Sipas informacioneve, ndaj tij janë konstatuar shkelje që lidhen me mosushtrimin e detyrave funksionale dhe mungesën e reagimit ndaj problematikave në territor, çka ka sjellë pasoja në menaxhimin e ndërtimeve pa leje.
Po ashtu, është iniciuar procedurë disiplinore edhe ndaj Përgjegjësit të Sektorit të Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale të Vlorës, Xhovalin Hoxhaj.
Zhvillimet vijnë vetëm pak ditë pas arrestimit të shefit të komisariatit të Sarandës, në kuadër të aksioneve dhe hetimeve për tolerimin e paligjshmërisë në zonat turistike.
Gjatë takimit në Sarandë, ministri Lamallari dha një mesazh të prerë për Policinë e Shtetit, IKMT-në dhe IMT-të lokale, duke kërkuar reagim të menjëhershëm ndaj çdo shkeljeje.
“Ndërtimet pa leje, zaptimi i hapësirave publike apo abuzimet në kurriz të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit janë vijë e kuqe”, deklaroi ministri, ndërsa paralajmëroi zero tolerancë ndaj çdo mosveprimi institucional.

