AKTUALITET /

GJKKO ndan dosjen “Meta” / Gjykim i shkurtuar për tre të pandehur, Iliri-Monika gjykohen bashkë

Ish-presidenti kundërshton përgjegjësinë për veprimet e ish-bashkëshortes, ndërsa Kryemadhi kërkon përgjimet; gjykata vijon procesin mes tensioneve procedurale

Shkruar nga Versus

GJKKO ndan dosjen “Meta” / Gjykim i shkurtuar për tre të

Në GJKKO u zhvillua seanca e dytë në themel ndaj Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, proces që vijon të shoqërohet me debate mes palëve dhe vendime procedurale të gjykatës.

Gjatë seancës, gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën e mbrojtjes së Ilir Metës për transmetim live të procesit gjyqësor, me argumentin se publikimi i drejtpërdrejtë do të krijonte presion mediatik dhe publik mbi çështjen. Po ashtu, në sallë nuk u lejuan kamerat, duke vijuar praktika e kufizimit të transmetimit.

Në një tjetër zhvillim, gjykata vendosi të ndajë më vete dosjen për tre nga të pandehurit, duke pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.

Ndërkohë, Monika Kryemadhi ka kërkuar që t’i vihen në dispozicion të gjitha përgjimet ambientale dhe telefonike të administruara nga SPAK, duke pretenduar mungesë të plotë të tyre në materialet e dorëzuara mbrojtjes.

Gjatë seancës, Ilir Meta u shpreh se nuk mban përgjegjësi për veprimet e ish-bashkëshortes së tij, duke theksuar se përgjegjësia penale është individuale.

“Unë kam statusin ‘i divorcuar’. Nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e Kryemadhit pa dijeninë time. Më trego një shpenzim që kam bërë unë,” u shpreh Meta në sallën e gjyqit, duke shtuar se nuk i kushton rëndësi elementeve personale si provë.

Meta u shfaq sërish brenda kafazit prej xhami në sallën e gjyqit, çka u kundërshtua nga mbrojtja e tij, e cila e konsideron këtë masë si cënuese të dinjitetit njerëzor.

Seanca u zhvillua në një klimë të tensionuar procedurale, ndërsa çështja vijon të shqyrtohet në themel për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë ndaj ish-çiftit Meta–Kryemadhi.

 

 

Poll