AKTUALITET /

Vrasja në Sarandë pas konfliktit për beach-bar: Gjykata cakton masa të rënda sigurie për dy të dyshuarit

Përplasja për pronën në Himarë që çoi në vdekjen e 66-vjeçarit, gjykata lë në “arrest në burg” 31-vjeçarin dhe në “arrest shtëpie” 50-vjeçarin

Shkruar nga Versus

Vrasja në Sarandë pas konfliktit për beach-bar: Gjykata cakton

Janë zhvilluar mesditën e sotme në Gjykata e Sarandës dy seanca të njëpasnjëshme për caktimin e masave të sigurimit ndaj Kostandin Vogli dhe Tori Ruci, të përfshirë në një konflikt të rëndë pronësie që përfundoi me një viktimë.

Ngjarja e rëndë ka nisur nga një konflikt për pronësinë e një beach-bari në bregdetin e Bashkisë Himarë, i cili më pas është përshkallëzuar në përplasje fizike me sende të forta dhe ka përfunduar me vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, mbrëmjen e 7 majit në zonën e Gjashtë, Sarandë.

I pari që u paraqit para gjykatës ishte 50-vjeçari Tori Ruci, i ndaluar më herët nga policia për veprën penale “moskallëzim krimi”. Gjatë shqyrtimit të masës, gjyqtari Mikel Hysometaj vendosi vijimin e “arrest shtëpie” për të, duke e detyruar të mos largohet nga banesa në fshatin Gjashtë të Sarandës. Ruci rezulton i dënuar edhe më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Më pas, prokurorja Armida Kaçi dhe gjyqtari u zhvendosën në spitalin “Petro Nako”, ku ndodhet i shtruar nën masa sigurie 31-vjeçari Kostandin Vogli, i plagosur me armë zjarri në këmbë.

Ndaj tij, prokuroria kishte ngritur akuzat për “moskallëzim krimi”, “shkatërrim prone” në bashkëpunim dhe “kanosje” në bashkëpunim, duke kërkuar “arrest në burg”, kërkesë e pranuar nga gjykata.

Megjithatë, gjykata mbajti një qëndrim të ndryshëm sa i përket kualifikimit juridik të veprës penale, duke vlerësuar se në këtë fazë hetimi, mbi bazën e provave të paraqitura, veprimet mund të përfshihen edhe në “vrasje me dashje” në bashkëpunim, mbetur në tentativë, së bashku me akuzat për moskallëzim krimi dhe shkatërrim prone.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa konflikti për pronën në bregdet konsiderohet si shkaku kryesor i përshkallëzimit fatal të situatës.

Poll