
Gjyqtari i Posaçëm Erjon Çela ka urdhëruar SPAK-un të regjistrojë një procedim penal ndaj deputetit të Partisë Demokratike dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja, pas dyshimeve për përfshirje të tij në vepra të rënda penale.
Sipas burimeve, gjykata ka siguruar të dhëna që e lidhin Ndojën me veprat “Pastrim i parave” dhe “Fshehja ose mosdeklarimi i pasurisë”, duke kërkuar nisjen e menjëhershme të hetimeve nga organi i posaçëm.
Vendimi i gjyqtarit Çela vjen pasi ai ka shqyrtuar çështjen me objekt pushimin e hetimeve për procedimin nr. 1804 të vitit 2023, e transferuar në SPAK për shkak të kompetencës lëndore. Gjatë verifikimeve, gjykata ka konstatuar se kërkesa për pushimin e hetimeve ishte e pavlefshme dhe se Ndoja, për shkak të statusit të tij aktual si deputet, nuk mund të hetohej nga Prokuroria e Tiranës.
Për këtë arsye, gjyqtari ka kthyer dosjen në SPAK dhe ka urdhëruar prokurorët të hapin procedimin penal dhe të nisin hetimet për deputetin e Durrësit, i cili vetëm gjashtë vite më parë u plagos rëndë në një atentat, ndërsa në zgjedhjet e 11 majit 2025 u zgjodh në Parlament.
