Tiranë- Gjykata e Posaçme vendos sot nëse dosja e asaj që njihet si “afera Partizani” do të kalojë për gjykim, do të pushohet, apo do t’i kthehet SPAK-ut për plotësim hetimesh.
Vendimi do të merret nga Flojera Davidhi, e njëjta gjyqtare që më 27 nëntor të vitit të kaluar liroi Sali Berishën nga arresti shtëpiak.
Gjithashtu sot në orën 09:30, ish-kryeministri pritet të paraqitet në SPAK në respektim të masës “detyrim paraqitje” të caktuar dy ditë më parë nga gjyqtari Engert Pëllumbi pas kërkesës së dy prokurorëve të SPAK Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai që kryedemokrati të kthehej në arrest shtëpiak.
Paralelisht, PD ka thirrur mbështetësit e saj në protestë para SPAK gjatë momentit kur Sali Berisha do të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore. Sipas PD, Berisha po përndiqet me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv në dosjen “Partizani”, së bashku me përfituesin dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë të përfshirë në aferën e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani. Versus.al








