
Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e autoriteteve italiane për nisjen e procedurave të ekstradimit për Genti Ndërjakun, i njohur edhe me emrin Ekil Ndërjaku dhe Ervis Detin. Të dy këta shtetas u arrestuan në kuadër të operacionit ndërkombëtar për goditjen e organizatës kriminale të njohur si "Troplinët", me bazë në Durrës.
Me kërkesë të prokurorit Endrit Bimi, gjykata caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për të dy të ndaluarit, në pritje të mbërritjes së dokumentacionit të nevojshëm për ekstradim nga autoritetet italiane.
Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës urdhëroi gjithashtu kalimin e dosjes në Gjykatën e Durrësit, për shkak se të arrestuarit janë banorë të këtij qyteti, duke e shpallur atë si gjykatën kompetente për vijimin e procedurave.
Genti Ndërjaku ndodhej tashmë në paraburgim në momentin e ndërhyrjes, pasi është duke u gjykuar për përfshirje në atentatin e ndodhur në Shkozet më 1 nëntor 2019, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku.
Ndërkohë, Ervis Deti u arrestua gjatë operacionit të koduar “Ura”, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Barit në Itali.
Për të dyshuarit e tjerë, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë në mungesë nga Gjykata e Posaçme, pritet që të premten të zhvillohet seanca për verifikimin e masës dhe marrjen e tyre në pyetje. Versus.al







