Sot u mbajt seanca gjyqësore e radhës për zbardhjen e atentatit të 1 nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Lahos (Rrumit të Shijakut) ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku.
Për ngjarjen është dënuar përjetë Redjan Rraja ndërsa janë të pandehur Plarent Dervishaj, Julian Meçe e Ramazan Rraja si një prej të dyshuarve. Në seancë ka dëshmuar sot Luan Mata, babai i të shumëkërkuarit, Ervin Mata i cili ka dhënë përgjigjie mbi sasinë e tritolit që shpërtheu në hotelin e tij në 2020-ën. Ai tha se nuk kishte dijeni kush ia kishte vendosur tritolin.
“Në vitin 2020 kam operuar në biznes privat, kam hotel Viktoria dhe Viktoria construksion. Nuk kam pasur probleme me njerëzit. Në vitin 2020 ka pasur një incident, kam qenë brenda në hotel. I gjithë hoteli është i mbuluar me kamera. Kam dy fëmijë. Nuk kam dijeni kush e ka ma ka vendosur tritolin.”- tha ai.
Në proces ka dëshmuar edhe Julian Pjetri, i dënuar me 4 vite e 4 muaj burg për atentatin ndaj Arjan Ndojit. Ai tha para togave të zeza: “Nuk dua të jap shpjegime përfitoj nga kjo e drejtë që me jep ligji”.
Njëjtë si ai u përgjigj edhe dëshmitari tjetër i thirrur, Genti Nderjaku, i dënuar me 5.4 vite burg nga GJKKO si pjesë e grupit për sulmin me armë zjarri ndaj ish-prokurorit.
“Nuk dua të përgjigjem dua të përfitoj nga kjo e drejtë.” tha ai. Në proces u paraqit edhe Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja. Ai dyshohet si pjesë e grupit të Plaurent Dervishaj. Nga GJKKO ai u dënua me 6 vite burg. “Dëshiroj të dëshmoj, por sot nuk është avokati im. Do të paraqitem herës tjetër me avokat.”, tha Rraja. Pjesë e dëshmisë ishte Amar Shkembi i ekstraduar së fundmi nga Dubai. “Dua të përfitoj nga e drejta për të mos u pyetur”, tha Shkëmbi. Versus.al


