AKTUALITET /

Goditja tjetër e Visit të Pojës, dalin bisedat, si e drejtonte transportin e her*inës nga Durrësi drejt Italisë: Duhet dhe kristal

Droga e fortë transportohej me autobus. Në dosjen hetimore të italianëve janë zbardhur disa episode të ndryshme të trafikut të heroinës.

Shkruar nga Versus
Goditja tjetër e Visit të Pojës, dalin bisedat, si e drejtonte
Visi i Pojës

Ditën e djeshme SPAK dhe autoritetet italiane njoftuan zhvillimin e operacionit antidrogë që goditi disa klane shqiptare të cilat kishin trafikuar mbi 1.3 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës. Detaje bënë me dije se nga ky operacion është goditur sërish grupi i Elvis Doçit, i njohur ndryshe si ‘Visi i Pojës’ ndaj të cilit u krye edhe një operacion i koduar ‘Ura’ 6 muaj më parë.

Prokuroria italiane e ka ndarë dosjen ndaj klaneve shqiptare në disa pjesë duke u fokusuar tek mënyra e ndërveprimit të secilit grup. Në një pjesë të caktuar është analizuar veprimtaria kriminale e shqiptarëve Indrit Tafili, Denis Tafili, Risardo Musaj, Eduart Leba dhe Ogert Shqevi nën drejtimin e Elvis Doçit ai që dyshohet të jetë kreu i organizatës kriminale. Në operacionin Ura rezulton se Tafili kishte gjithashtu rol kryesor në trafikun e drogës. Ai ishte bashkëfinancues i grupit, si dhe të marrësit në dorëzim të drogës dhe më pas shpërndarjen e saj dhe shitjen në tregun europian. Në dosje flitet për disa episode të trafikut të kokainës në periudha të ndryshme.

Më 11 dhjetor të vitit 2022, autoritetet italiane shkruajnë se Ogert Shqevi dhe Elvis Doçi ishin takuar në Shqipëri për të analizuar situatën që lidhej me kontrollet e shtuara ndaj magazinës së drogës nën kujdestarinë e Eduart Lebas. Indrit Tafili i ka folur për një dërgesë prej 14 kilogramësh kokainë dhe 100 mijë euro. Por Doçi dyshonte se Risardo Musaj mund të monitorohej me një pajisje GPS pasi i kishte shpëtuar një operacioni të mëparshëm dhe e urdhëroi që të mos e bënte dërgesën e planifikuar.

Të dyshuarit akuzohen se më pas kanë kryer importimin dhe shpërndarjen e 83 kilogramëve heroinë në 3 raste të ndara. Më 5 tetor, 2 nëntor dhe 8 nëntor falë bazës që kishin krijuar në komunën e Palazzolo sull'Oglio.

Droga ishte transportuar me autobus dhe ndërlidhës për kontaktin me shoferin kishte qenë një person i identifikuar si Bledi Doçi, njeri i afërt i Visit të Pojës.Doçi shfaqet në disa raste në komunikime duke drejtuar mënyrën e veprimit për dorëzimin e drogës në zonat përkatëse në Itali.

Një tjetër rast i trafikut të heroinës është zbardhur në vijim të dosjes. Bisedat tregojnë se droga nisej me autobus nga Durrësi pasi merrej në port, drejt Italisë. Episodi ka ndodhur në dhjetor të vitit 2022, duke vënë në dyshim sigurinë e portit të vendit duke qenë se prej 4 vitesh nuk kapet asnjë gram kokainë apo heroinë ndërkohë që autoritetet e huaja e konsiderojnë pikë kyçe për mbërritjen e drogës nga Amerika Latine.

Nën drejtimin e Elvis Doçit dhe Indrit Tafilit, Klodian Vata transportoi drogën me autobus nga Shqipëria në Itali ku dorëzoi 21 kg, mes të cilave 10 kg kokainë dhe 11 kg heroinë. Tafili në bisedat e bëra i kërkonte vatës që të ulte pak çmimin e transportit. Por ky i fundit ankohet për të ardhurat e ulëta.

“Unë paguaj për gjithçka... maksimumi 10,000, 14 më mbeten për një udhëtim)”- iu përgjigj Vata i cili refuzoi të rriste sasinë e drogës së transportuar. Ndërsa theksoi se në atë kohë ai përdorte autobusë të vegjël, të modifikuar posaçërisht në Spanjë, pasi më të mëdhenjtë tani njiheshin nga policia

“Autobusët e mëdhenj janë djegur, vëlla... ata i dinë të gjitha vrimat... ato që bëra unë në Spanjë janë super. Prandaj po ju pyes se kur do të kemi ndonjë lëvizje sepse duhet të planifikoj makinën”- shton më tej.

Tafili kontaktoi Doçin dhe ky i fundit e informoi se më 23 dhjetor të 2022-it do të duhej të ngarkonte drogën në autobus i cili do të mbërrinte në destinacion më 26 dhjetor 2022. Nga biseda dallohet se droga ishte e llojit heroinë.

Elvis Doçi: Ai do edhe Red due Kristal (heroinë e zezë, dhe kokainë)

Indrit Tafili: Mendoj se do të sjellim edhe pak B (kokainë e bardhë). Versus.al

Poll