
Është mbyllur me një dënim prej 4 vitesh burg procesi gjyqësor për ngjarjen tragjike të ndodhur më 3 maj 2024 në Shkodër, ku nëna Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj humbën jetën duke u mbytur në ujërat e lumit Buna.
Sipas hetimeve, arsyeja që çoi në këtë vetëflijim tragjik ishte dhuna sistematike psikologjike dhe fizike e ushtruar nga bashkëshorti, Ergys Arrazi.
Gjykata e Shkodrës e shpalli fajtor Ergys Arrazin për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”, duke e dënuar fillimisht me 6 vite burg. Por, për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu ul në 4 vite heqje lirie.
Gjyqtari Orgent Nazaj konstatoi se Arrazi kishte ushtruar në mënyrë të vazhdueshme dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij, duke e çuar këtë të fundit në një gjendje të rënduar emocionale, me ankth dhe depresion, që përfundoi me aktin tragjik të vetëflijimit të saj dhe fëmijëve.
Hetimet zbuluan se dhuna kishte nisur pasi Arrazi kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore dhe kishte filluar të ushtronte presion mbi gruan për ta larguar nga banesa. Ndër aktet e presionit, ai shpesh i kishte nxjerrë rrobat jashtë dhe i kishte djegur në sy të saj.
Gjykata vendosi gjithashtu të pranojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e akuzës për “vrasje në rrethana cilësuese”, pasi nuk u gjetën prova të mjaftueshme për të mbështetur këtë vepër penale.
Në dëshminë e saj, motra e Almës, Gentjana Z., ka treguar se gjatë periudhës së konfliktit me bashkëshortin, Alma shpesh shkonte në shtëpinë e saj për të kërkuar qetësi dhe mbështetje./Versus.al







