Afati për regjistrimin në çerdhe dhe kopshte, proces që kryhet përmes platformës online të Bashkisë së Tiranës, është shtyrë për shkak të një sulmi kibernetik nga hakerë iranianë. Sipas njoftimit zyrtar, regjistrimet do të jenë të hapura deri më 30 qershor.
Bashkia bën me dije se platforma online ende nuk është rikthyer në funksion, prandaj regjistrimet për kopshte dhe çerdhe do të kryhen në mënyrë fizike.
Ky është hera e dytë që afati i regjistrimit online shtyhet që prej sulmit të 20 qershorit, kur faqja zyrtare Tirana.al u hakerua dhe doli jashtë përdorimit.
Ky sulm ka paralizuar punën në institucionin e Bashkisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në procesin e regjistrimit të fëmijëve.
Sulmi i grupit iranian “Homeland Justice” vjen në një kohë kur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në qeli, dhe drejtimi i përkohshëm i Bashkisë është marrë përsipër nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani./Versus.al







