Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me rastin e dyshuar për kontaminim ushqimor në Kopshtin Nr. 1 të qytetit të Gramshit, ku janë evidentuar raste me prezencë të Salmonelës spp në mostra ushqimore.
Pas verifikimeve të kryera përmes procesit të gjurmueshmërisë së produktit ushqimor “vezë”, AKU ka konfirmuar se kontaminimi nuk ka ardhur nga subjekti prodhues apo nga furnizuesi i institucionit parashkollor.
Rezultatet e analizave janë si më poshtë:
Mostrat e marra në fermat prodhuese të vezëve kanë rezultuar negative për Salmonelë spp, duke përjashtuar mundësinë e infektimit në burim.
Fermat e shpendëve janë testuar gjatë muajit maj 2025 për Salmonelozë dhe kanë rezultuar me shpendë të shëndetshëm. Mostrat e marra në subjektin furnizues të Kopshtit Nr. 1 kanë rezultuar gjithashtu negative.
E vetmja pikë ku është evidentuar prania e bakterit Salmonelë spp është brenda ambientit të Kopshtit Nr. 1 Gramsh, çka sugjeron që kontaminimi ka ndodhur në ambientet e brendshme të institucionit, dhe jo për shkak të vezëve të përdorura.
AKU thekson se ky konstatim përjashton përfshirjen e produkteve ushqimore të tregtuara në zinxhirin përkatës, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar faktorët e saktë që mund të kenë sjellë kontaminimin në ambientet e kopshtit. /Versus.al/







