I riu 19-vjeçar, Jovan Kostadinov i cili rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar 21 të tjera gjatë mbrëmjes së 16 marsit kur diskoteka e Koçanit në Maqedoninë e Veriut,u përfshi nga flakët, është pritur si hero në gjimnazin e tij.
Në rrjetet sociale është publikuar video e pritjes së 19-vjeçarit Jovan Kostadinov në gjimnazin “Vanço Përçe” në Vinicë, një qytet 9 kilometra larg Koçanit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka njoftuar në rrjetet sociale lajmin për daljen nga spitali të Jovan Kostadinov, djaloshi që shpëtoi mbi 21 persona në diskotekën “Puls” në Koçan e cila u përfshi nga flakët mbrëmjen e 16 marsit.
Taravari shkruan se 21-vjeçari tashmë është hero i gjithë vendit.
“Sot, me emocion të thellë dhe krenari të pafund, ndaj me ju lajmin se më në fund është rikthyer në shtëpi Jovan Kostadinov, i riu trim që shpëtoi 21 jetë në tragjedinë e zjarrit të Koçanit.
Ka raste kur fjalët nuk mjaftojnë dhe kjo është një prej tyre. Si të përshkruhet një shpirt kaq trim dhe vetëmohues, që në momente paniku dhe rreziku nuk mendonte për veten, por vetëm për të tjerët?
Jovani, i cili është vetëm 21 vjeç, veproi si një hero i vërtetë. Ai hyri përsëri dhe përsëri, jo një herë, jo dy, por më shumë se 20 herë, për të ndihmuar të bllokuarit në flakë. Ai rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar të tjerët.
Trupi i tij mban plagët e heroizmit të tij, por zemra e tij mbart diçka shumë më të madhe: respektin, admirimin dhe dashurinë e një kombi të tërë.
Jovani nuk është vetëm një hero i Koçanit. Ai është një hero i gjithë vendit tonë. Një simbol i asaj që do të thotë të vendosësh njerëzimin mbi frikën. Një kujtesë për të gjithë ne se sa shumë mund të bëjë një person me zemër të madhe”, shkruan Taravari.
Një zjarr në diskotekën Puls në Koçan, një qytet në Maqedoninë e Veriut rreth 100 kilometra në lindje të Shkupit, vrau 59 persona dhe plagosi 197.
Zjarri shpërtheu të dielën, më 16 mars në orën 2:30 të mëngjesit, për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike në një koncert nga grupi DNA, dhe kishte më shumë se 650 vizitorë në disko atë natë, duke përfshirë më shumë se tridhjetë fëmijë.








