
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar në rrjetin e tij social një rast të rëndë nga lufta e 26 viteve më parë me Serbinë.
Më 29 prill 1999 forcat e armatosura serbe sulmuan fshatin Zhazhë. Besim Kadriu u godit me një plumb dum-dum që i shkatërroi pjesën më të madhe të fytyrës.
Të gjithë menduan se kishte vdekur, por pas 24 orësh në gjendje kome ai u rikthye në jetë. Besimi arriti të mbijetonte pa hundë dhe pa syrin e djathtë për 7 javë vetëm me kujdesin e Jeton Pecit, Genimetes dhe Nehat Pecit, derisa i erdhën në ndihmë ushtarët e KFOR-it.
Ai u dërgua më pas në Mbretërinë e Bashkuar ku në shtator të vitit 1999 iu nështrua një ndërhyrje të madhe kirurgjikale.
“Kurrë nuk kam hasur dikë që është ende gjallë me një plagë kaq të tmerrshme si Besimi", i kishte thënë doktori Dan Clay revistës Time, e cila më 6 mars 2000 publikoi një shkrim për Besimin.
Ai vazhdon të jetojë në Mbretërinë e Bashkuar, bashkë me familjen e tij.
“Besimi është mishërim i qëndresës së popullit tonë. Në plagët e tij pasqyrohet historia e dhembjes sonë kolektive, e cila nuk mund të harrohet kurrë”- shkruan mes të tjerash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Versus.al








