
Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 7 maj për seancën paraprake në ngarkim të të pandehurve të dosjes “Sterilizimi” mes të cilëve është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Mësohet se shkak për këtë shtyrje është fakti se as Beqaj dhe as avokati i tij nuk u paraqitën në seancë. Ish-ministri ishte shprehur se ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe kërkoi që seanca të mos zhvillohej pa praninë e tij.
GJKKO e pranoi kërkesën duke e shtyrë seancën për herë të dytë. Dosja e koncesionit të Sterilizimit u kalua për gjykim më 23 janar të këtij viti nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Për Beqajn ishte caktuar masa “detyrim paraqitje” në 2023-in, por ish-ministri u arrestua në korrik të vitit të kaluar nën akuzën e abuzimit me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që drejtonte agjencinë “SASPAC”.
Ish-ministri kërkoi gjykimin normal me shqyrtimin e të gjithë provave, ndërsa 8 të pandehurit e tjerë kërkuan gjykim të shkurtuar në mënyrë që të përfitojnë ulje në rast dënimi.
Në komisionin hetimor që u ngrit për të hetuar aferën e Sterilizimit, Beqaj dhe të pandehurit e tjerë u paraqitën për të dhënë llogari para deputetëve. Por dëshmia e Beqajt nuk u arrit të sigurohej për ditë me radhë pasi nuk iu pranua kërkesa e prezantimit me anë të fotove dhe ky i fundit nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve.
SPAK thotë se janë përdorur kosto të rreme të shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%. Për këtë aferë janë marrë të pandehur 9 persona.
Të pandehurit e dosjes “Sterilizimi”
1-Ish-ministri Ilir Beqaj, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe grup kriminal
2-Ish-zv ministri, Klodian Rjepaj, i akuzuar për “Mashtrim”, “Falsifikim të dokumentave”, “Shpërdorim detyre” dhe grup kriminal (arrest me burg)
3- Biznesmeni Ilir Rrapaj, i akuzuar për “Mashtrim” dhe grup kriminal (arrest me burg)
4-Marsela Serjani, e akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)
5-Saimir Kadiu, i akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)
6-Petref Mersini, i akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)
7- Arben Gjata, i akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)
8-Genc Burazeri, i akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)
9- Naile Ajazi, e akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje). Versus.al








