Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka konfirmuar se nuk ka pasur asnjë shkelje të të drejtave themelore në rastin penal ndaj Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vendimin e saj, kjo gjykatë konkludon se procedurat e ndjekura nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë kanë qenë në përputhje me Kushtetutën dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Mustafa kishte dorëzuar një ankesë, duke pretenduar se ishte cenuar e drejta e tij për një gjykim të drejtë, veçanërisht lidhur me vendimin për dënimin e tij për vrasje të paligjshme. Sipas tij, vendimi nuk kishte arsyetim të plotë dhe se kishte mangësi në mënyrën se si ishte trajtuar çështja në instancat e mëparshme. Por Gjykata Kushtetuese i hodhi poshtë këto pretendime, duke mos gjetur asnjë shkelje ligjore apo procedurale që do të ndikonte në legjitimitetin e vendimeve.
Një pjesë e ankesave u konsideruan të papranueshme, ndërsa pjesa tjetër u refuzua si e pabazuar. Ndër të tjera, Mustafa kishte kundërshtuar edhe faktin që gjatë procesit kishte marrë pjesë Mbrojtësi i Viktimave, por kjo ankesë nuk u pranua pasi nuk ishte ngritur më herët në instancat gjyqësore të mëparshme.
Gjithashtu, Mustafa kishte kërkuar që gjykata të merrte parasysh përdorimin e një ligji më të favorshëm për dënimin e tij. Por Kushtetuesja theksoi se Dhomat e Specializuara funksionojnë me një bazë të veçantë ligjore dhe janë të detyruara të zbatojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara si autoritetin më të lartë juridik në këtë kontekst.
Ky vendim mbyll një tjetër kapitull në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës, duke e përforcuar qëndrimin se procedurat e ndjekura kanë qenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë. /Versus.al/








