Gjykata e Strasburgut ka prishur vendimin e e dënimit me burgim të përjetshëm të Arben Frrokut, për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Frroku u shpall fajtor nga Gjykata e Lartë Shqiptare që miratoi dënimin e ish-Apelit për Krime ndërsa Shkalla e Parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Strasburgu vlerëson se në procesin gjyqësor ndaj Frrokut evidentohen shkelje të të drejtave të tij dhe, dhe për këtë arsye duhet të rigjykohet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut mbrojtjes i lind e drejta për t’iu drejtuar kushtetueses me kërkesën për rigjykim të çështjes.
Vrasja e kryekomisarit Dritan Lamaj ndodhi më 24 shkurt 2013 dhe dy vite më pas Shkalla e Parë e ish-krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm Arben Frrokun. Në qershor të 2015, vetëm pak muaj pas këtij vendimi, Prokuroria këmbënguli në fajësinë e Frrokut duke apeluar vendimin e pafajësisë. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. Vetëm dy ditë para këtij vendimi, Arben Frroku u arratis nëpërmjet Malit të Zi, ku arriti ti shpëtonte në këtë vend një kontrolli verifikimi nga autoritetet. Më 6 mars 2016, ai u arrestua në Holandë, ku qëndronte i fshehur me një pasaportë greke të falsifikuar, me identitetin e Renato Tsepa. Fillimisht u ndalua për falsifikim dokumentesh, por pas verifikimeve dhe shkëmbimit të informacioneve me Shqipërinë, rezultoi se ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kryekomisarit Lamaj.
Frroku kundërshtoi ekstradimin në Shqipëri, duke argumentuar se ndaj tij ishte zhvilluar një proces i padrejtë dhe se jeta e tij ishte në rrezik.
Në Janar të vitit 2020, mediat holandeze do të raportonin se Frrokut iu ul dënimi në 18 vite, pasi gjykata e vendit europian i njohu atij edhe ditët e burgut që ka kryer në Shqipëri dhe Greqi. Pas refuzimit të ekstradimit, auturitetet shqiptare kërkuan që dënimi të zbatohet në Holandë.
Dritan Lamaj, ish-shefi i komisariatit nr 6 në Tiranë, u ekzekua në vitin 2013 në zonën e “Vasil Shantos” , ku dy persona i kanë bërë pritë kryekomisarit. Ai po shkonte me automjetin e tij drejt banesës dhe në mometin që ka zbritur nga makina është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Arben Frroku u arrestua më 25 shkurt të 2013 në Greqi, së bashku me shtetasin Jak Jaku por dy vite më vonë do të lirohej nga Krimet e Rënda si i pafajshëm, që i hapi rrugë edhe arratisë së tij. Vendimi i Strasburgut nuk përcakton fajësinë apo pafajësinë e Arben Frrokut për vrasjen e kryekomisarit, por detyron gjyqësorin shqiptar, të rigjykojnë çështjen për shkak të pretendimeve të mbrojtjes për shkelje. /Versus.al/







